Ata që paguajnë taksën e mbeturinave në Palermo, do të udhëtojnë falas

schedule12:49 - 11 Nëntor, 2019

schedule 12:49 - 11 Nëntor, 2019

Bashkia e Palermos ka ndërmarrë një iniciativë për të zgjidhur njëkohësisht dy nga problemet kryesore të qytetit: mbledhjen e mbeturinave dhe blerjen e biletave të autobusit. Të gjithë ata qytetarë që do të paguajnë taksën për mbledhjen e mbeturinave do të mund të përdorin falas transportin publik.

Një nga problemet kryesore në Palermo të Italisë mbetet ai i mbeturinave, të cilat i shtohet dhe mos pagesa e taksës për mbledhjen e tyre. Sipas të dhënave, një palermitan në tre nuk e paguan këtë taksë. Për të mos përmendur këtu ata që nuk paguajnë as biletën e autobusit.

Për këtë arsye bashkia e Palermos e drejtuar nga Leoluka Orlando, ka ndërmarrë një iniciativë sipas të cilës, qytetarët të cilët paguajnë taksën e mbledhjes së mbeturinave mund të përdorin falas transportin publik.

Orlando u ka kërkuar shoqërive të cilat merren me transportin publik dhe mbledhjen e mbeturinave që të kryejnë një studim, për të analizuar shpenzimet dhe përfitimet.

Brenda muajit janar të vitit të ardhshëm priten sugjerimet e para dhe propozimet, në mënyrë që kjo masë të aplikohet sa më shpejt.

Në këtë mënyrë dhe tetë milion euro më pak nga shitja e biletave mund të kompensohen nga pagesa e taksës për mbledhjen e mbeturinave që sipas ekspertëve mund të mbledhë deri në 40 milion euro.

Shumë kjo që mund të përdoret pjesërisht dhe për fuqizimin e transportit publik dhe në realizimin e linjave të reja të tramvajit.

Një zgjidhje që mund të transformojë dy probleme historike të qytetit në një rast të mirë zhvillimi për qytetin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!