Nga Shkodra, Edi Rama vazhdoi debatin me Sali Berishën, sërish duke mbajtur në qendër replikat për makinën e një këngëtari.
“Si qenkan 50 mijë pensione për Lamborghinin e Noizyt? Sa kushton Lamborghini? Kushton shumë më pak se 6 mln dollarë. Nëse shkojmë me logjikën e 50 mijë pensioneve, se bufi për të larë damkën, siç ia vënë deleve, që ia kanë vurë bam për të larë atë numrin në kokë, sa pensione paska paguar. Nëse Noizy për Lambon e vet janë 50 mijë pensione, po bufi me lekët e kujt? Se i bie me aritmetikën e tij 500 mijë pensione”, tha Rama.
I vetëdijshëm për peshën politike të diasporës, ku deri mesditën e kësaj të diele, kanë shprehur vullnetin e tyre me votë mbi 144 mijë emigrantë, Edi Rama nuk e fshehu optimizmin se fitorja do ti vijë pikërisht nga jashtë vendit.
“Shuplakën më të nxehtë këneta do ta marrë nga diaspora. . Dhe iu them të gjithë atyre që janë regjistruar, që tani që fletët iu kanë vajtur, të mos humbin mundësinë për të votuar. Të mos bëhen shqipo që të thonë po e lëmë për momentin e fundit dhe të ngelin pa votuar”, shtoi Rama.
Por një mesazh specifik e kishte për shqiptarët në Greqi, që ndryshe nga ç’pritej, shifrat flasin për një numër të ulët zarfesh të kthyera. Referuar të dhënave të KQZ- deri në mesditën e së dielës, nga vendi fqinj kanë mbërritur 23640 vota nga 68 380 që janë shpërndarë. Për këtë arsye thirrja e Ramës ishte e qartë, votë për pasaportën europiane që do të thotë edhe njohje e pensioneve.
“Mbi të gjitha mesazhi e kam për ata shqiptarët në Greqi, ata janë ata që e kuptojnë më mirë nga të gjithë se çfarë domethënë kjo pasaporta. Nëse ne hyjmë në BE, dhe nëse shqiptarët marrin këtë pasaportë, kjo në Greqi domethënë se s’të duhet më pasaporta greke”, tha më të tej kreu i qeverisë.
Për demokratët e Shkodrës kishte në fund një mesazh. Më mirë sesa të votonin Luçiano Boçin, të qëndronin në shtëpi, e të dëgjonin Luçiano Pavarotin.
“Unë mendoj që demokratët e vërtetë të dielën tjetër të qëndrojnë në shtëpi, që mos i vijë më pas turp nga vetja.Minimalisht të dëgjojnë Luçiano Pavarotin e vërtetë, ose maksimalisht te mbyllin hundën e të vendosin plusin te pesa”, përfundoi Rama./abcnews.al

