Mustafa Nano kësaj here në Provokacija ka patur të ftuar Koordinatorin e Bindjes Demokratike, Astrit Patrozi. I pyteur nga Nano nëse emërtimi si Koordinator i kësaj partie ishte për të evituar emrin “Kryetar”, Patozi nuk e mohoi, por sqaroi se kjo gjë, ishte më tepër, si një risi e re në politikën shqiptare. Ai më tej shtoi se, impakti i këtij projekti politik kishte tejkaluar pritshmëritë.
Pyetjes së Nanos, nëse kishte bërë gjënë e duhur me projektin e tij të ri të Bindjes Demkratike, Patozi i bindur u përgjigj se, kishtë bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
Gazetari Mustafa Nano nuk ndaloi së provokuari me bisedën e tij Patozin.
“Njerëzit që po të dëgjojnë thonë se i kanë dëgjuar të tilla gjëra edhe nga udhëheqës të tjerë më përpara”, provokoi Nano.
Ndërsa Patozi shtoi se:
“Njerëzit e kanë të drejtën e mosbesimit, por duhet të na lënë kohën e mjaftueshme për të treguar se, këto që po themi, do ti bëjmë. Duke filluar nga këto zgjedhje, ku po futemi për të bërë diferencën me balozët që i kanë zënë frymën Shqipërisë”.
Biseda më tej vijoi duke treguar problemet politike të aktualitetit shqiptar.
“Një nga problemet e politikës shqiptare ka qënë roli i një lideri abuziv, për shkak të pushtetit të madh. Për të luftuar këtë nuk mjafton vetëm vullneti i mirë i Astrit Patozit, por duhet ndryshuar dhe sistemi“, vazhdoi bisedën e tij Nano.
Astrit Patozi u përgjigj se:
“Sistemi do të ndryshohet edhe për shkak të bindjes demokratike. Jam i bindur që në zgjedhjet parlamentare Shqipëria do të hyjë me një sistem tjetër sepse nevoja e shoqërisë është shumë më e madhe se dëshira e dy apo tre sulltanëve”.
I pyetur nga Nano se cilin sistem do të preferonte, Patozi u shpreh se fillimisht duhej kufizuar pushteti i Kryeministrit, i cili sipas Patozit është gati i pathyeshëm.
Më tej Patozi dha opinionin e tij, se si mund të arrihej deri te kufizimi i pushtetit të kryeministrit. Ai tha se, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 duhet të zhbëheshin.
“Për këtë duhet të zhbëjmë ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Nëse e bëjmë këtë atëherë kufizojmë pushtetin e kryeministrit. Më pas duhet të dalim te listat e hapura sic është sistemi mazhoritar. Për mua kryeministri është një bishë politike për shkak të sistemit jo për shkak të njeriut. Problemi im nuk është se Edi Rama është kryeministër i keq, por se nuk kam asnjë garanci, që ai që do vij pas tij do jetë më i mirë. Sistemi e favorizon që kryetari kryeministër të shndërrohet në një bishë politike dhe të shqyejë gjithcka. Duke i bërë një kafaz Kryeministrit, ne shpëtojmë shqipërinë dhe futemi në një erë të re demokratike, në erën e Bindjes Demokratike”, përfundoi ai./abcnews.al