Astrit Patozi flet për deformimin e votës dhe rolin e KQZ

schedule20:33 - 11 Korrik, 2019

schedule 20:33 - 11 Korrik, 2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News me gazetaren Mirela Milori, ka qenë i ftuar Koordinatori i partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi. Duke ndarë opinionin e tij në lidhje me procesin zgjedhor, Patozi tha se “Bindja Demokratike” ka të dhëna për deformim të votës, ai gjithashtu tha se KQZ e goditi që në fillim partinë e tij, duke mos e lejuar të garonte në të gjithë vendin, e për pasojë solli penalizmin e saj. Më tej Patozi deklaroi se do ta ndjekin çështjen e hapjes së kutive edhe më tej, pasi hapja e tyre do të përmbyste rezultatin që është pasqyruar. Për Patozin, zgjedhje të tilla ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë.

“Shqiptarët nuk patën mundësi të dëgjojnë zërin e bindjes demokratike. Ne kemi të dhëna por nuk kemi prova për deformim të votës. KQZ na goditi që në fillim sepse nuk na la të garonim në të 61 bashkitë. Ne na ndodhi që u penalizuam nga KQZ me dominancë socialiste dhe KZAZ 100 % socialiste, nuk u lejuam të kandidojmë në gjithë territorin, na sulmuan kandidatët të cilët u tërhoqën edhe nga gara dhe na u morën votat në tavolinë. Ne kërkuam të ishim të pranishëm në numërimin e votave dhe nuk u lejuam”, deklaroi Patozi.

Mirela Milori: Si do të veproni më tej?

Astrit Patozi: Ne respektojmë bindjen dhe vullnetin tonë dhe zgjedhësve që atë ditë na u përgjigjën në kulmin e një trysnie politike në kushte ekstreme. U ushtrua trysni mbi zgjedhësin shqiptar dhe kjo i bezdisi njerëzit, padyshim dhe e dëmtoi praninë tonë. Ne për qeverinë ishim të padëshirueshëm në zgjedhje. Ne jemi të detyruar që ta ndjekim këtë çështje por nuk kam shumë besim. Ne kemi të drejtën ta kërkojmë hapjen e kutive.

Mirela Milori: Pritshmëritë tuaja a i arritët?

Astrit Patozi: Jo sepse rezultati ynë u coptua që në hyrje, gjatë fushatës dhe në numërim pra në të gjithë procesin. Edi Rama nëse nuk hap kutitë, atëherë duhet ta pranojë që kutitë brenda janë krejt ndryshe nga cfarë janë shënuar. Mund ta bëjnë provë vetëm me një zonë zgjedhore, mjafton që 1 mostër të hapet dhe ne jemi të bindur që rezultati përmbyset dhe kjo e bën procesin edhe më të shëmtuar.

Mirela Milori: E prisnit këtë sjellje nga qeveria e Ramës?

Astrit Patozi: Jo nuk e prisnim në fillim, mendonim që edhe ata kishin interes për praninë tonë, por ata me sa duket kishin ankthin e pjesëmarrjes etj. Zgjedhje në Shqipëri ku të numërojnë militantët e partisë nuk duhet të ketë më kurrë sepse ne nuk do dalim nga kjo spirale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!