Assange e përdori ambasadën e Ekuadorit për spiunazh

schedule15:31 - 15 Prill, 2019

schedule 15:31 - 15 Prill, 2019

Julian Assange e përdori statusin e azilantit në ambasadën e Ekuadorit për të kryer aktivitete spiunazhi. Kjo, sipas presidentit të vendit amerikano-jugor ka qenë dhe arsyeja përse themeluesi i Wikileaks u dorëzua tek autoritetet britanike.

Themeluesi i Wikileaks, Julian Asange e përdori ambasadën e Ekuadorit në Londër për aktivitete spiunazhi. Kështu ka deklaruar presidenti i vendit latin, Lenin Moreno, sipas të cilit edhe heqja e statusit të azilantit erdhi pikërisht për shkak të aktiviteteve ilegale të bëra nga 57-vjeçari.

Duke folur për të përditshmen “The Guardian”, Moreno bëri me dije se qeveria e mëparshme e Ekuadorit kishte ngritur brenda ambasadës struktura për t’u ndërlidhur me shtete të tjera dhe kjo sipas tij u keqpërdor nga Asange.

Presidenti ekuadorian tha gjithashtu se, vendi i tij nuk mund të lejonte një aktivitet të tillë pasi është një vend sovran që nuk ndërhyn në çështjet e shteteve të tjera.

“Nuk mund të lejojmë që shtëpia jonë, një shtëpi që hapi dyert, të kthehet në qendër spiunazhi”, deklaroi Moreno.

Presidenti i Ekuadorit citoi si shkak për heqjen e statusit të azilkërkuesit edhe gjendjen e rëndë higjenike në të cilën Assange jetonte brenda ambasadës. Por avokatja e themeluesit të Wikileaks, Jennifer Robinson i kontestoi deklaratat e Moreno duke i cilësuar ato si shpifje dashakeqe.

“Ekuadori ka sajuar disa shpifje dashakeqe në ditët e fundit për të justifikuar aktin e paligjshëm të lejimit të hyrjes së policisë britanike brenda në ambasadë”, deklaroi Robinson.

Avokatja shtoi se shqetësimet e Assange për ekstradimin në Shtetet e Bashkuara rezultuan të sakta, pas akuzave të ngritura për komplot me qëllim hakerimin e një kompjuteri të Pentagonit ku mbaheshin informacione të klasifikuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!