Deklaratat që vijnë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilave i sugjerojnë Qeverisë së Kosovës që t’i qaset seriozisht zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë pragmatike dhe dashamirëse në raport me Kosovën, vlerësojnë Arsim Bajrami, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës dhe Duashan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd.
Por, ata kanë pikëpamje të ndryshme se si duhet qasur çështjes së Asociacionit, jo vetëm nga pala e Kosovës, por edhe nga pala e Serbisë.
Të hënën, më 5 korrik, Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë. Ai ka theksuar që “ekzistojnë mekanizma përmes të cilave Kosova mund të zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”.
Po të njëjtën ditë, Bashkimi Evropian ka thënë se pret që Kosova të dalë me propozimin se si të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, pasi me një vendim të kuvendit, ajo e ka marrë përsipër këtë obligim ndërkombëtar.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.
Bajrami: Kosova duhet t’i kryejë detyrimet
Arsim Bajrami, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që jo vetëm Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, por të gjithë zyrtarët amerikanë dhe pjesërisht edhe ata evropianë, kanë kërkuar në vazhdimësi formimin e Asociacionit. Në këtë kontekst, sipas tij, shumica e tyre e kanë përmendur sintagmën “në përputhje me Kushtetutën dhe rendin kushtetues të Kosovës”.
Siç thotë ai, marrë parasysh që institucionet e Kosovës e kanë neglizhuar formimin e Asociacionit, kjo është shndërruar në çështje politike dhe tashmë, siç thotë ai, brenda BE-së ka disa shtete që kërkojnë anashkalimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe themelimin e Asociacionit, sipas marrëveshjes së vitit 2013, pra me kompetenca ekzekutive.
“Mendoj që pala kosovare, paraprakisht do të duhej që derisa të vendoset në tavolinë çështja e Asociacionit, t’i kryejë detyrimet në raport me Asociacionin. Ta rishikojë statutin, ta harmonizojë sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetutese, ta dekretojë dhe me atë version të rishikuar, të shkojë në bisedimet finale, sepse jam i sigurt që do të ketë presion të jashtëzakonshëm, sidomos nga zyra e zotit (Miroslav) Lajçak, por edhe nga BE-ja që të shkohet përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të formohet një Asociacion mbi rendin ekzistues kushtetues të Kosovës”, thotë Bajrami.
Janjiq: Sjellja e Prishtinës i konvenon Beogradit
Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se në Marrëveshja për Asociacionin, e vitit 2013, nuk është përshirë shprehimisht se ai do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj, por një gjë e tillë është e vetëkuptueshme. Ndërkaq, ky formulim është futur në marrëveshjen shtesë të vitit 2015. Kjo është edhe arsyeja, sipas tij, që Serbia insiston në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 për Asociacionin, e cila më pas është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshjet ndërkombëtare, siç thotë ai, janë më të fuqishme se vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka shprehur mendimin që Serbia insiston në Marrëveshjen e vitit 2013, për shkak se dëshiron shumë që ta ketë një ‘Republikë serbe’ në Kosovë, pavarësisht që ajo është joreale. Por, sipas tij, edhe pala serbe gjithashtu ka gabuar duke e futur këtë marrëveshje në platformën e saj të vetme për bisedimet me Kosovën, në kohën e presidentit serb, Tomislav Nikoliq.
“Ajo (Serbia) e shpalli këtë si fitoren e saj më të madhe, por njëkohësisht ajo u shndërruar për të në ‘Thembër të Akilit’. Por, është treguar që sjellja e Prishtinës dhe moszbatimi i marrëveshjes, i konvenon jashtë mase Beogradit, që ta diskreditojë Prishtinën në bisedimet e mëtejme e madje edhe Bashkimin Evropian”, tha Janjiq.
Themelimi i Asociacionit dhe mekanizmat kontrollues
Në Bruksel më 7 korrik mbahen takime mes BE-së me delegacionit të Kosovës, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, pasi priti në takim Bislimin, tha se “çdo gjë që bisedohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është temë politike dhe nuk ka asgjë teknike”.
Një ditë më vonë, BE-ja do të mbajë takim edhe me palën serbe.
Pas takimeve të ndara, palët do të kenë edhe një takim të përbashkët me ndërmjetësimin e BE-së.
Ky takim do të shërbejë edhe për të përgatitur një takimi të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të zhvillohet nga fundi i këtij muaji në Bruksel.
Profesor Bajrami shpreh mendimin që në rast se Qeveria e Kosovës do të ofronte një propozim para BE-së për mënyrën se si do të themelohet Asociacioni, atëherë do të hidhte topin te pala serbe.
Sipas tij, në draftimin e statutit të Asociacionit ka hapësirë që të lejohet bashkëpunim i gjerë i komunave me shumicë serbe, koordinimi, këshilldhënia dhe harmonizimi i tyre, por duke shmangur çfarëdo kompetence ekzekutive apo pushteti i tretë. Në këtë kontekst, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që në statutin e Asociacionit të instalohen dy mekanizma.
“I pari, mekanizmi i kontrollit administrativ të çfarëdo vendimi të Asociacionit, përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe inspektimit administrativ që e bën kjo ministri. Duke ia dhënë të drejtën që të anulojë çfarëdo vendimi jokushtetues të Asociacionit. Së dyti, përmes rishikimit që duhet në mënyrë permanente ta krijojë Gjykata Kushtetuese, si një kompetencë shtesë. Meqenëse Asociacioni do ta ketë një statut, si akt organik, atëherë duhet të ndërhyhet edhe te Ligji për Gjykatën Kushtetuese, që t’i jepet një kompetencë e rregullt, që të vlerësojë jo vetëm statutin e Asociacionit, por edhe të gjitha vendimet që i sjellin organet e këtij mekanizmi”, theksoi Bajrami.
Rishqyrtimi i problemit
Dushan Janjiq vlerëson se është krejtësisht reale të pritet që në takimin e 7 korrikut, pala e Kosovës ose ajo e Serbisë të sjellin draftin e statutit të Asociacionit, gjë që do të ishte edhe në përputhje me marrëveshjen. Sipas tij, vetëm pas këtij veprimi do të mund të diskutohej për raportin që mund të ketë ky draft i statutit me Kushtetutën.
Ai vlerëson se çështja e Asociacionit është komplikuar shumë nga vetë përfaqësuesit e të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë.
“Pra, aq shumë e kanë ngatërruar këtë problem, sa që ai meriton që sërish të shqyrtohet. Pra, nuk është e mundur që menjëherë të gjendet një formulë. Të jem i drejtpërdrejtë, kjo që ka zgjatur në BE dhe në Amerikë, pra, maturimi i vetëdijes se sërish duhet të shqyrtohet, për mua është diçka e mirë. Ky duhet të jetë fillimi i diskutimeve të sërishme, por jo për atë se ‘a dëshiron apo nuk dëshiron’, por për atë se a mundet dhe si mundet të realizohet ideja themelore e një vetëqeverisjeje të pakicës”, ka thënë Janjiq.
Ai ka shtuar që, megjithatë, pret që palë të merren vesh për kohën dhe për pranimin që të bisedohet për këtë çështje, por nuk është reale të pritet që palët do të pajtohen së shpejti për tekstin e statutit të Asociacionit, për shkak të interpretimeve të ndryshme, deri më tash, të secilës palë lidhur me marrëveshjen.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a ka ajo ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit, të cilën do ta parashtrojë në dialog me Serbinë, ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.
Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut./REL