Ministria e Shëndetsisë këtë të dielë ka deklaruar se deri më tani fatmirësisht në vendin tonë nuk ka asnjë të infektuar me koronavirus, dhe se tre rastet e fundit kanë rezultuar negativë.
Në një deklaratë publike, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës , Eugena Tomini, ka bërë thirrje për të gjithë ato persona që kanë pasur kontakt me vendet që është i përhapur koronavirusi të vetëkarantinohen për 14 ditë.
“Gjatë ditës së djeshme janë testuar tre raste që kanë rezultuar negativ. Nga periudha e përhapjes së koronavirusit në Kinë e deri më tani, janë verifikuar 29 raste të dyshuara, por që të gjithë fatmirësisht kanë rezultuar negativë. Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare, ajrore, detare dhe tokësore po bëhet monitorimi i të gjithë shtetasve që po futen në territorin e Shqipërisë. Ministria e Shendetsisë rekomandon për të gjithë udhëtarët që kanë qenë në kontakt me vendet e përhapura koronavirusi që të vetëkarantinohen për 14 ditë”, tha Tonini.
Gjithashtu ministria i bën thirrje personave që të telefonojnë në numrin 127 për të treguar nëse kanë apo jo shenja të virusit, apo nëse kanë pasur kontakt me persona të prekur./abcnews.al