“Asnjë nuk është sipër ligjit”, gjykatësi detyron presidentin brazilian të mbajë maskë

schedule17:32 - 23 Qershor, 2020

schedule 17:32 - 23 Qershor, 2020

Një gjykatës e ka urdhëruar presidentin brazilian Jair Bolsonaro të korrigjojë sjelljen e tij dhe të mbajë vënë maskë ndërsa qarkullon në kryeqytetin, Brasília.

Presidenti brazilian ka shkaktuar zemërim duke mos përfillur masat kufizuese që janë vënë për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit që u ka marrë jetën më shumë se 50,000 brazilianëve.

Bolsonaro ka bërë një numër të madh daljesh në publik, duke përfshirë protesta, dyqane dhe evente të tjera duke mos e mbajtur maskën siç duhet apo edhe pa maskë fare.

Për këtë arsye, një gjykatës federal vendosi të hënën se Bolsonaro nuk ishte sipër ligjeve të distriktit federal, ku përfshihet edhe kryeqyteti i vendit. Për këtë arsye, gjykatësi vendosi se presidenti brazilian do të marrë një gjobë ditore prej 2,000 reais nëse vijon që të thyejë rregullat.

Përdorimi i maskës është i detyrueshëm në Brazil që nga fundi i prillit.

“Asnjë, as vetë kreu i ekzekutivit, nuk është sipër kushtetutës dhe ligjeve të republikës,” shkruante gjykatësi në vendimin e tij.

Lidhur me këtë vendim, Bolsonaro nuk ka reaguar ende. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!