Asnjë marrëveshje për rritjen e tavanit të borxhit të SHBA

schedule15:35 - 10 Maj, 2023

schedule 15:35 - 10 Maj, 2023

Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e Kongresit nuk arritën marrëveshje gjatë një takimi të martën për të zgjidhur ngërçin e krijuar për rritjen e kufirit të borxhit që mund të marrë qeveria për të përmbushur detyrimet e saj financiare. Nëse nuk arrihet një marrëveshje në javët e ardhshme, Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të paguajnë faturat e tyre për herë të parë në histori, duke dërguar valë tronditëse financiare në mbarë botën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Presidenti Joe Biden u përpoq të qetësonte shqetësimet e tregjeve globale mbi krizën që po afrohet, disa javë përpara se vendi të rrezikojë përmbushjen e detyrimetve të tij për herë të parë në histori.

“E bëra të qartë gjatë takimit tonë, se mospagimi nuk është një mundësi. E përsërita këtë disa herë. Amerika nuk është një vend që mënjanon detyrimet financiare”.

Presidenti Biden u takua të martën pasdite me udhëheqësit e Kongresit, në një përpjekje për të zgjidhur ngërçin disa mujor, për të siguruar që qeveria mund të marrë hua më shumë para për të paguar faturat e saj.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, republikan, refuzon të rrisë kufirin e borxhit nëse kjo nuk shoqërohet me shkurtime të shpenzimeve.

“Dhoma e Përfaqësuesve e ka ngritur tavanin e borxhit në mënyrë të përgjegjshme. Të ulim shpenzimet tona, për të sjellë rritje ekonomike. Unë i drejtova presidentit një pyetje të thjeshtë: A beson ai se ka vend ku mund të kursejmë?”

Dështimi për të rritur tavanin e borxhit jo vetëm që mund të nxiste një recesion në Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu do të dërgonte valë tronditëse në tregjet financiare globale, paralajmëroi sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Mospagimi do të krijonte pasiguri globale në lidhje me vlerën e dollarit amerikan dhe institucioneve dhe udhëheqjes amerikane, duke çuar në paqëndrueshmëri të dollarit në tregjet financiare dhe në tregjet e mallrave që janë përcaktuar me çmime në dollarë”.

Ekonomia amerikane është më e madhja në botë dhe dollari amerikan është monedha dominuese në botë.

Nëse Shtetet e Bashkuara dështojën të paguajnë borxhet e tyre, kjo do të shkaktonte një shitje të bonove të thesarit, duke dobësuar dollarin dhe duke rritur normat e interesit, thonë analistët.

“Nëse normat e interesit në Shtetet e Bashkuara rriten, kjo do të sillte rritjen e të gjitha normave të tjera të interesit. Do të bënte që të gjitha pasuritë në dollarë të duken shumë të paqëndrueshme”, thotë Desmond Lachman me Institutin ‘American Enterprise’.

Bonot amerikane të thesarit janë konsideruar tradicionalisht si investimi më i sigurt. Pavarësisht trazirave, një ish-ekonomiste e lartë në Departamentin e Shtetit thotë se vendet dhe investitorët nuk duhet të jenë tepër të shqetësuar për një dështim të SHBA-së.

“Kjo është një çështje e vullnetit për të paguar, jo e aftësisë për të paguar. Dhe ky është një dallim shumë i madh”, thotë Heidi Crebo-Rediker me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Takimi tjetër mes presidentit dhe drejtuesve të Kongresit është caktuar për të premten./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!