Erzeni është mundur në dy ndeshjet e fundit, fillimisht nga Besëlidhja e më pas nga Korabi. Këto disfata nuk janë pritur mirë nga drejtuesit e klubit, madje ka pasur edhe gjoba. Abcnews.al mëson se administratori Altin Keçi ua ka komunikuar futbollistëve pjesën e penalitetit financiar.
“Asnjë nuk do të paguhet deri në fund për mungesë impenjimi. Kush do, mund të largohet”, ky ka qenë mesazhi i Keçit, që nuk është pritur mirë nga futbollistët. Sidomos nga ata më kryesorët, të cilët ia dolën ta renditin Erzenin në katërshen e parë.
Shanset për t’u ngjitur në Superiore ishin gati zero, ndaj edhe t’i gjobitësh lojtarët për ndeshje pa ndonjë interes madhor, duket e tepërt. Të gjendur në këtë situatë, lojtarët kanë qenë ditën e sotme në Bashkinë e Shijakut, ku edhe kanë shprehur shqetësimet e tyre.
Momentalisht lojtarët kanë vendosur të qëndrojnë në ekip deri të premten, kur edhe do të zhvillohet një takim me kryebashkiakun. Futbollistët duan garanci financiare dhe respektimin e kontratave, një gjë krejtësisht normale. /abcnews.al

