“Askush s’mund të kërcënojë Ballkanin”, Rama: Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial

schedule17:21 - 21 Gusht, 2023

schedule 17:21 - 21 Gusht, 2023

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, kreu i qeverisë e ka cilësuar deklaratën e Vuçeviç si të papranueshme dhe të rrezikshme.

Kryeministri Rama kujton gjithashtu se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Kreu i qeverisë e përmbyll reagimin e tij duke thënë se ‘Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme’.

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme.”, shkruan kryeministri.

Çfarë deklaroi Vuçeviç?

“Keni bërë gabim dhe kjo do t’ju bjerë kokës, ashtu si po i bie kokës të gjithë atyre në Ukrainë që kanë promovuar Kosovën si shtet të pavarur. Keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike që Kosova është rast suis generis janë qesharake, as Albin Kurti, as Tirana nuk i besojnë këto. A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? Ata mendojnë se duke qenë në NATO kanë zgjidhur problemet e tyre dhe nuk mund t’u ndodhë gjë.”

Lidhur me këtë deklaratë reagoi të premten edhe edhe Danijel Zhivkovic, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, duke deklaruar se Vuçic po i bën presion mandatarit Milojko Spajiç për të futur në qeveri koalicionin serb “Për të Ardhmen e Malit të Zi”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!