Ashton kërkon guxim për të arritur një kompromis në dialogun Kosovë-Serbi

schedule13:38 - 15 Shtator, 2023

schedule 13:38 - 15 Shtator, 2023

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të ecë përpara dhe të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ish-ndërmjetësja e dialogut, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, në konferencën e Grupit për Ballkanin theksoi nevojën për një lidership më të madh të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç, për të bërë kompromis në arritjen e ujdisë finale.

Duke rrëfyer vështirësitë që ka pasur në procesin e dialogut, ajo përmendi edhe ndërmjetësin aktual të dialogut, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se e do suksesin e Kosovës.

Krahas kësaj, baronesha Ashton u shpreh e gatshme për të ndihmuar dialogun, por shtoi se koha e saj mund të ketë mbaruar, siç tha dje kryeministri Albin Kurti.

Në anën tjetër, pjesë e kësaj konference ishte edhe ish-zëvendës Ndihmës-Sekretari i ShBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ambasadori Philip Reeker, i cili tha se duhen hapa serioz dhe kompromise që dialogu të ketë sukses.

Madje ai u shpreh i habitur se si ende në dialog edhe pas 10 vjetëve diskutohet çështja e zbatimit të marrëveshjes për targa.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të lartë të partive politike opozitare dhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë. Ndërkaq, munguan pjesëtarë të kabinetit qeveritar apo shumicës parlamentare.

Ashton në Prishtinë promovoi edhe librin e saj “Dhe, pastaj çfarë? Brenda tregimeve të diplomacisë së shekullit 21”./KosovaPress/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!