Asani largohet nga Partizani dhe tregon ofertat, Tiranës i ikin dy “maestrot” latinë

schedule09:14 - 8 Qershor, 2021

schedule 09:14 - 8 Qershor, 2021

Tirana dhe Partizani gjatë ditëve të fundit janë në qendër të vëmendjes për lëvizjet në merkato. Panorama Sport sot i ka marrë prononcime Agustin Torassas dhe Elton Cale, të cilët kanë pranuar se janë lojtarë të lirë dhe kanë përfunduar marrëdhënien e tyre me klubin bardheblu.

Largime shumë të rëndësishme nga Tirana, duke pasur parasysh se ishin dy nga lojtarët, që mbanin pjesën më të madhe në ofensivën e bardhebluve. Torassa tregon se klubi i kërkuar përgjysmim të pagës. Ai ka qenë dakord deri në 30%, por kërkesa e Tiranës ka qenë e prerë.

“Të them të vërtetën u zhgënjeva që nuk firmosa. Doja të qëndroja edhe një sezon te Tirana, por kjo është jeta. E pranoj që të gjithë në sezonin e shkuar nuk dhamë maksimumin. Shumë gjëra shkuan keq dhe nuk jam vetëm unë fajtori. Të gjithë ishim nga pak fajtorë. Fundja ky është futbolli”, tregon Torassa.

 

Nga ana tjetër Cale ka folur shkurt, duke pranuar thjesht se është lojtar i lirë. Në fakt braziliani e ka kaluar thuajse gjithë këtë sezon i dëmtuar, me shpatullën, që i është bërë pengesë e madhe për të dhënë maksimumin. Tirana duket se po shikon për të rinovuar skuadrën dhe zëvendësimi i kësaj dysheje do jetë ndoshta misioni më i vështirë.

Nga ana tjetër Partizani ka një çështje të madhe për të zgjidhur. Jasir Asanit i ka përfunduar kontrata dhe nuk ka gjetur akord me klubin për të rinovuar. Këtë e pranon vetë dhe thekson se ka disa oferta në tavolinë. Ai shprehet se ka refuzuar tre oferta nga Liga e Parë në Turqi dhe e pret një klub në Hungari (Kisvarda).

 

“Kam folur me drejtuesit e Partizanit, por nuk kemi gjetur akord. Nuk jemi mirëkuptuar me kërkesat, nuk ka dakordësi mes palëve. Kam disa oferta në tavolinë, kam biseduar me disa klube. Kam refuzuar 3 oferta nga Liga e Parë turke. Dua të luaj në elitën e Turqisë ose pse jo në Rusi.

Kam një ofertë që e kam lënë në pritje nga Hungaria dhe në rast se nuk më vjen një ofertë më e mirë, do të firmos aty. Te Partizani kam kaluar momente të paharrueshme, fituam titullin kampion, ka qenë eksperiencë fantastike”, tha ndër të tjera Asani. D.L/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!