Asambleja e Përgjithshme e FFK-së, marrin pjesë edhe zv/presidenti i FSHF-së dhe Sekretari i Përgjithshëm

schedule13:36 - 20 Shkurt, 2024

schedule 13:36 - 20 Shkurt, 2024

Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, morën pjesë sot në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Federatës së Futbollit të Kosovës, që u zhvillua në Prishtinë.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur para anëtarëve të Asamblesë, Zv.Presidenti Nuri përcolli fillimisht përshëndetjet dhe urimet më të sinqerta të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka për punën e mirë të bërë gjatë vitit 2023 nga FFK dhe sa më shumë sukses në 2024.

“Kjo Asamble është një mundësi e mirë që të gjithë anëtarët e komunitetit të futbollit kosovar të mblidhen për të diskutuar dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen. Na vjen mirë të konstatojmë se futbolli në Kosovë ka pasur një progres të vazhdueshëm. Arritja më e madhe e futbollit kosovar është padyshim përfaqësimi i Ballkanit në fazën e grupeve të UEFA Conference League, një sukses plotësisht i merituar”, – tha Nuri, duke shtuar se përmes mbështetjes nga FIFA & UEFA janë ndërtuar qendra stërvitore e janë përmirësuar disa fusha stërvitore për klube dhe kjo dëshmon se FFFK është në rrugën e duhur dhe suksese të mëtejshme ju presin.

“FSHF ndihet krenare për partneritetin që ka me FFK ndër vite e për kontributin që ka dhënë në ndihmë të futbollit kosovar. Solidariteti dhe bashkëpunimi janë në bazën e marrëdhënieve tona. Ne do të jemi gjithmonë aty përkrah jush për t’ju ofruar mbështetjen dhe ndihmën tonë të pakursyer për të zhvilluar së bashku lojën tonë”, – theksoi Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri në fjalën e tij duke uruar anëtarët e komunitetit të futbollit në Kosovë punime sa më të mbara të Asamblesë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!