Asambleja e pedagogëve: Të ndryshojë në thelb Ligji për Arsimin e Lartë

schedule17:31 - 11 Shkurt, 2019

schedule 17:31 - 11 Shkurt, 2019

Pas kërkesës së Asamblesë së Pedagogëve për një diskutim për Ligjin e Arsimit të Lartë me komisionin parlamentar të edukimit, ky i fundit dëgjoi sugjerimet e tyre për ndryshimin e këtij ligji dhe përmirësimin e gjendjes në universitete.

Debati për gjendjen e sistemit arsimor në vend, nisur nga revolta e studentëve, duhet shfrytëzuar për një diskutim kombëtar, që duhet paraprirë nga shprehja e vullnetit politik për ndryshimin e Ligjit të Arsimit të lartë. Ishte ky thelbi i diskutimit në komisionin e Medias nga Asambleja e Pedagogëve e cila problemet e Ligjit i përmblodhën në dy shtylla kryesore, financimi dhe autonomia.

Mark Marku: Nëse shteti nuk merr përsipër financimin e universitetit si universitet publik dhe duke ia rënduar barrën e financimeve përmes tarifave që merren nga studentët, tarifat do rriten aq shumë sa do rëndojnë mbi studentët. Praktikisht ka ndodhur kjo. Buxheti i shtetit nuk u rrit. E dyta është autonomia. Ligji e shkel autonominë në të gjitha drejtimet.

Bordi i Administrimit dhe administratorët janë pushtete paralele sipas Markut. Autoritetet akademike dhe institucionet përfaqësuese të universitetit nuk kanë akses në hartimin e politikave të menaxhimit dhe senati, pasi zgjedh përfaqësuesit në bord, nuk ka asnjë instrument ligjor për t’i kërkuar llogari. E si problem kryesor…

Mark Marku: Neni 12, sipas të cilit institucionet e larta publike mund të bëhen institucione publike të pavarura. Pra lind e drejta që të privatizohen përmes disa procedurave që gjasme kalojnë në fondacione dhe këtë e bën Bordi i Administrimit. Bordi i Administrimit ka të drejtë ligjore të privatizojë universitetet publike.

Problemi thellohet edhe më shumë me Vendimet e Këshillit të Ministrave që janë në thelb të Paktit për Universitetin të ofruar nga qeveria si zgjidhje, sipas tyre.

Rezart Prifti: E dini ju që thotë Kryeministri tregtoni libra. Ne s’kemi libra fare sepse të bësh një libër do një qërre me lekë, do një qerre me njerëz nga mbrapa dhe nuk bëhen librat kështu siç sugjeron zotëria që do ngrihet komisioni i lulushëve e me radhë. Ça bëhet kështu? Si u bënka në një komision të përgjithshëm? Ku e njeh ti lëndën time që të miratosh libër për mua. Kryeministri na bën pyetje mirëpo nuk dëgjon. Siç tha herën e fundit, qentë le të lehin kur karvani i tyre të ecë përpara. Vlerësimi i titujve akademikë thotë Kryeministri. Po bëje. Nëse do ta bësh ashtu si duhet hajde na pyet ne që kemi mbaruar jashtë si bëhet. Po, por duhet të llogarisësh kasaphanën nga mbrapa. Kasaphanë sepse nga 140 nga kolegët tuaj të nderuar, ka rrezik që 90% e tyre do dalë me pullë në biografi. Si do ta bëjë specialisti i Ministrisë së Arsimit titullin akademik, ku unë jam doktor shencash dhe ai ka dalë nga bankat e mia. Mbi ç’kriter?

Mungesën e vullnetit për ndryshimin e Ligjit, e shprehu vetë titullarja e ministrisë në kohën e përpilimit dhe miratimit të tij, në vetëm një pyetje.

Lindita Nikolla: A mendoni vërtet se ligji do përmirësojë gjithë situatën e arsimit tonë të lartë? Vërtetë mendoni që ligji ka sjellë përkeqësim? Nëse ligji ka sjellë përkeqësim më thoni një tregues që ka ardhur i përkeqësuar për shkak të ligjit të arsimit të lartë.

Pas një diskutimi që zgjati mbi 4 orë, përfaqësia e asamblesë së pedagogëve në komision këmbënguli në nevojën e hapjes së një diskutimi për llojin e sistemit arsimor që vendit i duhet, e më pas ndërtimin e Ligjit duke dëgjuar jo më ata që i dhanë formë Ligjit të sotëm të Arsimit të Lartë./abcnews.al