Asambleja e KOKSH, përmbledhje e të gjitha ngjarjeve që ndodhën sot

schedule20:56 - 9 Shkurt, 2020

schedule 20:56 - 9 Shkurt, 2020

NUK KA NDRYSHIME NE KOKSH DERI NE LOJRAT OLIMPIKE. ZGJEDHJE TE REJA E NDRYSHIME NE STATUT DERI NE FUND TE VITIT

Kompromis në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u ra dakord që organet drejtuese të vazhdojnë punën deri në Lojërat Olimpike në Tokio, dhe më pas të ketë ndryshime në statut, dhe zgjedhje të reja.

ARMAND DUKA, PRESIDENT I FSHF-së
GENC BOGA, MBAJTES I THESARIT NE KOKSH
VIRON BEZHANI, PRESIDENT I KOKSH-it
ERALD DERVISHI, FEDERATA SHQIPTARE E SHAHUT
ZHEROM POJE, KOMITETI OLIMPIK NDERKOMBETAR

Një ushtarak i famshëm francez e quajti Traktarin e Versajës pas Luftës së Parë Botërore si një armëpushim 20-vjeçar, dhe doli i saktë. Besohet, një armëpushim disa mujor ishte akordi i arritur në fund të Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

U miratua propozimi i bërë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të lënë në fuqi organet drejtuese deri në Lojërat Olimpike në Tokio, e për të organizuar më pas zgjedhje të reja.

Asambleja u thirr nga 2/3 e anëtarëve, pas akuzave të presidentit Viron Bezhani ndaj Sekretarit Stavri Bello dhe bordit drejtues, për shpërdorim të fondeve, dhe skenari fillestar ishte ky.

Presidenti I futbollit, Duka, foli në emër të 15 federatave. Debatet ishin të ashpra dhe kundër Dukës foli mbajtësi I Thesarit të KOKSH-it, Boga, me gjasë një nga njerëzit më të fuqishëm në bord.

Në Asamble u kuptua pozicionimi i grupeve, njëri kundër presidentit, që kërkoi ta niste me votëbesimin për Bezhanin, i një grupi pro presidentit, dhe një tjetër më i pavarur.

Vetë Bezhani i mbrojti akuzat e tij. Me gjasë, palët e kuptuan se duhej një kompromis i ri, pasi Asambleja mund të përfundonte keq. Pra, duhej pushim. Përfaqësuesi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zherom Poje, u ul në kafen e Hotel Tiranës me Bezhanin, Dukën, Bibën e të tjerë. Më pas, vetë Duka bëri propozimin e ndryshuar.

Vërejtja më e fortë ndaj këtij propozimi u bë nga Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar i Shahut, Erald Dervishi. Për t’i vënë vulën, ashtu si në 1997 e në çdo rast të politikës, u detyrua të fliste ndërkombëtari.

“Të biem dakord në parim me rezolutën që propozon presidenti, me një amendament që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave të statutit. Statuti është i mirë, por mund të ndryshohet. Kombinojmë propozimin e presidentit me propozimin e Federatës së Futbollit. Të ruhet statuskuoja e organeve drejtuese deri në zgjedhjet e radhës, që do të mbahen pas Lojërave Olimpike dhe ka konsensus që të organizohen deri në fund të këtij viti”.

Presidentit Bezhani nuk i mbeti tjetër përveçse të shtronte formalisht propozimin në votë. Miratimi u krye me 44 vota pro dhe vetëm 3 kundër, ndërsa presidenti Bezhani premtoi diçka në dalje nga Asambleja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!