Asambleja e ASH-së vendos Gjinushin në drejtim, kundërshton Artan Fuga

schedule12:58 - 18 Tetor, 2019

schedule 12:58 - 18 Tetor, 2019

Asambleja e Akademisë së Shkencave i jep të drejtën që të ushtrojë detyrën kryetarit Skënder Gjinushi. Vendimi u mor sot në një mbledhje me dyer të mbyllura të Asamblesë së Akademisë së Shkencave.

“E papranueshme që tentuan të rrëzojnë mandatet e fituara, pasi ligji nuk e cenon. Presidenti ka për detyrë vetëm të emërojë. Ligji i ri nuk ndryshon kriteret e zgjedhjes, vetëm është më i qartë. Kjo është përpjekja e dëshpëruar e Presidentit për të gjetur ndonjë lajthitje. Dorëheqja është shumë e qartë. Pa lindur ju unë kam qenë anëtar në Akademinë e Shkencave. Dorëheqja është 15.5.2019. Dorëheqja është vendim personal. Vetëm këtu në Shqipëri ndodh që dorëheqja hyn në fuqi kur një tjetër do”, tha Skënder Gjinushi në përfundim të mbledhjes së Asamblesë.

Në mbledhjen e asamblesë ishte i pranishëm dhe akademiku Artan Fuga, i cili ka kundërshtuar zgjedhjet në ASH dhe ligjin e saj. Ai ka kundërshtuar edhe vendimin e Asamblesë që u mor sot.

Të drejtën e Gjinushit për të ushtruar detyrën e kryetarit të ASH-së, Artan Fuga e konsideron si uzurpim.

“Çështja do të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese”, mësohet të jetë shprehur Fuga.

Skënder Gjinushi, u shpall kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 24 Maj të këtij viti. Ai nuk kishte përballë askënd në garë, por mori 35 vota pro 6 kundër.

Për herë të parë pas ndryshimeve ligjore të 2008 votoi edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare përmes postës elektronike. Ndërsa akademiku Artan Fuga nuk ishte i pranishëm, pasi sipas tij këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me rregulloren që parashikon Akademia.

Zgjedhjet u mbajtën me ligjin që ishte në fuqi, pasi projektligji ishte duke u shqyrtuar në komision. Më herët presidenti Meta nuk dekretoi Skënder Gjinushin në krye të e Akademisë së Shkencave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!