Qëndismat shqiptare po tërheqin gjithnjë e më tepër të huajt.
Ky grup vizitorësh nga Izraeli është ndalur në këtë punishte në zonën muzeale në Gjirokastër. Vendas e të huaj shkëmbejnë përvojat e tyre profesionale.
“Unë quhem Kelly dhe jam nga Izraeli. Kemi ardhur me një grup miqsh për të vizituar Shqipërinë dhe për t’u njohur më shumë rreth traditave. Ne interesin tonë është edhe qëndistaria. Po mësojmë nga artizanet vendas dhe është një eksperiencë e mrekullueshme për më tepër kur jemi në një vend miqësor dhe me njerëz tepër të dashur.”
“Unë jam Mihal nga Izraeli. Punoj si artizane në të gjitha profilet e këtij zanati, Prej disa vitesh kryejmë ture të ndryshme ku pjese është edhe Shqipëria, por ku më mire se në Gjirokastër mund të njihemi apo të na tregojnë teknikat në qëndisjeje, për më tepër ato me fije ari, pjese e rëndësishme dhe mjaft e bukur edhe e kostumeve tradicionale te zonave te ndryshme.”
Artizania gjirokastrite Burbuqe Muka që punon në qendër të zonës historike tregon se turistët e huaj kanë interes për të mësuar mbi traditën. Këto vizita në punishtet e artizanatit për guidat turistike janë një mënyrë për të promovuar trashëgiminë kulturore. Njëkohësisht nxisin zhvillimin e biznesit lokal.
Në zonën muzeale në Gjirokastër ushtrojnë profesionin e tyre dhjetëra artizanë në profile të ndryshme që çdo vit zgjojnë interesin e turistëve të huaj që vizitojnë qytetin e gurtë./abcnews.al

