Artistja kosovare Flaka Haliti çel ekspozitën e parë në GKA 

schedule17:59 - 7 Shtator, 2018

schedule 17:59 - 7 Shtator, 2018

“Këtu-apo atje, është më atje”,  kështu titullohet ekspozita e Flaka Halitit e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artistja kosovare  në një intervistë për ABC News, pranon se frymëzimi i saj vjen nga aspektet social-politike.

Me një titull plot dilema “Këtu-apo atje, është më atje”, prezantohet përpara publikut shqiptar artistja kosovare Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita që në hyrje nis me dilemë, duket sikur të fton në një skenë, por nga ana tjetër përmes kësaj perdeje ajo shpreh  gjërat e mbajtura varur.

Aspektet social-politike janë shigjetat ku ajo drejton kërkimin e saj artistik.

Flaka Haliti u jep imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese një zë alternativ. Kjo qasje e saj prodhon kompozime të reja apo ende të padefinuara që shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.

“Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear me qëndrimin e vet përtac-cool-kritik.

Flamuj të ngjyrosur me spraj shpesh na i sjell përmes figurinash që herë-herë kanë fytyra njerëzore apo kafshë.

Por nuk mund të mungojnë elementë nga lufta e Kosoves si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë.

Edhe instalacioni i cili në qendër ka një robot me krahë është ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. E shkuara dhe ardhmja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.

Kuratorja Leonie Radine e ka për herë të parë bashkëpunimin me Halitin.

Falak Haliti e zhvillon jetën artistike në Gjermani, por ka ekspozuar në shtete të ndryshme evropiane. Ajo ka marrë pjesë edhe në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias. “Qielli i kaltër”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 nëntor, si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!