TIRANË- Kinematografia shqiptare humbi një prej emrave ikonë të saj, Margarita Xhepën. Ajo u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, një ditë pasi festoi ditëlindjen e saj, duke lënë pas një trashëgimi të vyer.
Këtë të premte po mbahen homazhe në nder të artistes së madhe në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë kryen homazhe për nder të divës së skenës.
Një prej shoqeve të saj të ngushta, Tinka Kurti, me dhimbje shprehet se Margarita Xhepa ishte një shoqe dhe mikeshë e rrallë. Nderime dhe kujtime përcollën dhe dy aktorë të shquar si Luiza Xhuvani dhe Timo Flloko.
ABC News sjell më poshtë disa nga fjalët të tre artistëve si homazhe për të madhen Margarita Xhepa.
Tinka Kurti: E kisha vajzë, shoqe dhe mikeshë. Kam dhimbje të madhe shumë.
Luiza Xhuvani: Padyshim është një humbje e jashtëzakonshme. Megjithatë, Margarita pati fatin ta jetojë jetën bukur edhe në aspektin njerëzor edhe në aspektin profesional. Është simboli i bukurisë, i dashurisë dhe i mirësisë njerëzore. Krijoi imazhin perfekt të gruas në të gjitha dimensionet, si nënë, si grua, si motër, si kolege. Unë jam me fat që kam rrugëtuar bashkë me të edhe profesionalisht.
Timo Flloko: Mbajti dhe mbretëroi me kurorën më brilante të artistes simbol shqiptare dhe kishte emrin Margaritë. Kam luajtur role me të në teatër dhe kinema. Ndihem krenar që e kam njohur dhe përulem me nderim në kujtim e përjetshëm të emrit të saj. Margarita ishte një aktore e jashtëzakonshme, jetoi gjatë si për të kryer misionin e saj në jetëgjatësinë e vet krijuese për të gjithë figurat që la tek artdashësit, për të cilat do të kujtohet shumë e shumë kohë. Është simboli i arritjeve më cilësores të femrës, aktores dhe artistes. Ajo që në fillimet e saj krijoi figura të mrekullueshme. Solli një qytetari. Ajo shkëlqeu, ashtu siç e kishte emrin Margaritë-margaritar. Kam mbresa të tilla që nuk mund të harrohen.