Arti në zi, ndahet nga jeta aktori i njohur Lutfi Hoxha

schedule12:10 - 10 Shtator, 2023

schedule 12:10 - 10 Shtator, 2023

Këtë të dielë arti shqiptar ka humbur një nga aktorët e tij më të njohur dhe të dashur për publikun. Sipas një postimi në rrjetet sociale Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës shkruan se është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha.

“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”, shkruan Teatri i Durrësit.

Hoxha mbetet një nga kolosët e roleve dytësore në kinematografinë shqiptare dhe një nga aktorët themelues të teatrit profesionist të Durrësit. Portreti i tij nuk harrohet lehtë për shkak të profesionalizmit dhe mirësisë që gjeneron në secilin prej roleve të realizuara.

Ai ka luajtur mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike.

Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Dalja në pension nuk i solli apati profesionale, përkundrazi. Vijoi t’i përgjigjet ftesave të regjisorëve. Luajti në “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, “Trokitje në dyert e dhimbjes” nga Serafin Fanku, monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, në komendinë “Dy vëllezër e gjysmë”, si dhe në Teatrin Kombëtar “Korbi i bardhë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!