Artan Hoxha: Mësimi online nuk është normal, kontakti pedagog-student është i nevojshëm

schedule22:31 - 27 Maj, 2021

schedule 22:31 - 27 Maj, 2021

Rektor i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha në emisionin “Log.” me gazetarin Endri Xhafo tha se pjesëmarrja e studentëve në procesin mësimor online për Universitetin e Tiranës ka qenë në masën 50%.

Ai theksoi se për shkak se procesi mësimor u zhvillua online është kërkuar që edhe mbyllja të bëhet online.

“Diploma online nuk mund të konsiderohet. Programi i studimit ka qenë i njëjtë, por që për shkak të pandemisë nuk u zhvillua në auditor”, tha Hoxha.

Gjatë bisedës me gazetarin Endri Xhafo, Rektori Artan Hoxha tha se mësimi online nuk është normalitet i zhvillimit të proceseve mësimore.

“Në një situatë normale mësimi zhvillohet sipas strukturës së vitit akademik. Mësimi online nuk është normaliteti i zhvillimit të proceseve mësimore. Proceset mësimore zhvillohen në auditor, kontakti pedagog – student është i nevojshëm.

Nëse ne do të kemi hapësirën e përdorimit të auditorit, pra nuk do të jemi në nivel që mund të kombinojnë auditorin me mësimin në distancë, ne do të përdorim auditorin. Kjo situatë sot është nga e keqja. Tjetër është përvoja që marrim, tjetër është se si ne e përdorim këtë përvojë”, u shpreh ai.

Artan Hoxha më tej theksoi se tarifat në Universitetin e Tiranës në krahasim me vite më parë kanë ardhur në ulje.

“Tarifat në Universitetin e Tiranës janë mëse të arsyeshme dhe shkojnë deri në rendin e kostos së studentit për të ndjekur Arsimin e Lartë në këtë universitetit. Janë tarifa që krahasuar me vite më parë kanë ardhur në ulje dhe ne sot e kemi një nga burimet e mbajtjes në këmbë të Universitetit  nga pikëpamja financiare sepse ne operojmë me disa burime financimi.

Është granti i qeverisë që mbulon 85% të pagave dhe të gjysmës së tarifës së studentëve apo përjashtimin e atyre tarifave që nuk paguhen prej tyre që do të thotë që gjithsesi ai ikën dhe mbeten shumë aktivitete të universiteti pa mbulesë financiare”, shtoi më tej Hoxha.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!