Edhe pse neni 129 i Kushtetutës, thotë qartë se mandati i një gjyqtari kushtetues, fillon ditën që betohet përpara presidentit të Republikës, Arta Vorpsi, e renditur e para nga KED-ja, vendosi të betohet përpara një notereje.
Në këtë mënyrë, ajo mendoi të tejkalojë Metën, e bashkë me të edhe Kushtetutën që duhet ta mbrojë. Veprimi erdhi menjëherë pasi Presidenti deklaroi se nuk e thërret për betim, sepse për atë vakancë ka dekretuar kandidaten tjetër, Marsida Xhaferllarin.
Vetë noterja ku u krye akti, përjashton të ketë zhvilluar një ceremoni betimi.
“Vorpsi ka paraqitur një deklaratë të hartuar jashtë zyrës sime të noterit, erdhi me deklaratën si çdo qytetar tjetër, dhe unë kam vërtetuar vetëm nënshkrimin e saj. Thjesht hodhi firmën në praninë time. Unë nuk mund të marr atributet e Presidentit”, tha ajo.
Veprimi i noteres u mbështet dhe nga dhoma kombëtare e noterëve.
“Noteri thjesht ka bërë detyrën. Përpara noterit është paraqitur një qytetare e cila ka bërë një deklarim, ka shprehur vullnetin dhe noteri është i detyruar në bazë të ligjit për noterinë të bëj vërtetimin e nënshkrimit të qytetarit që është paraqitur pranë tij”.
Presidenti reagoi përmes zëdhënësit duke thënë se nuk pengonte askënd të betohej as tek noteria, as tek parukierja./abcnews.al