Vllaznia u mund nga Laçi të premten e shkuar dhe nesër kundër Apolonisë fitorja është detyrim. Këtë e thotë edhe mesfushori Arsid Kruja, i cili foli sot para mediave. “Normalisht që jo vetëm ne, por i gjithë qyteti, gjithë Shkodra, kërkon fitoren për të arritur tek objektivi. Besoj se do ia dalim që të fitojmë nesër”.
Kur i thonë që Apolonia është një rival i lehtë, mesfushorin i Vllaznisë shton: “Nuk mund të them se është kundërshtar i lehtë, pasi duhet një vlerësim maksimal për çdo skuadër. Ndaj secilit kundërshtar ne japim maksimumin dhe duhet të marrim pikët e plota”.
Në tre sfida e fundit Vllaznia ka barazuar dy herë dhe më pas u mposht nga Laçi. Gjithsesi Kruja është optimist: “Humbja me Laçin nuk ishte një rezultat që e prisnim, por ne kemi treguar që dimë të ringrihemi. Do tentojmë ta kalojmë nesër me fitore”.
Në lidhje me problemet që kishte për disa javë, Kruja në fund u shpreh: “Nuk mund ta quaj dëmtim, sepse nuk ishte fizik. Kam kaluar një gjendje gripale dhe tani jam shumë mirë dhe kërkoj të bëj maksimumin për Vllazninë”. /abcnews.al