Një person u arrestua nga policia në Vlorë për mbajtje pa leje të armëve dhe lëndëve shpërthyese, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestruan 158 fishekë luftarakë dhe një kallëp lënde plasëse, të dyshuar si tritol.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, bazuar në informacionet operative, kontrolluan banesën e shtetasit A. C., 35 vjeç, banues në Vlorë.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, A. C. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për hetime të mëtejshme.


