Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, është prangosur pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion pasiv. Një muaj e gjysmë më parë, ai ishte shkarkuar nga ministrja e Drejtësisë Gjonaj, pas shkeljeve të gjetura në ushtrimin e detyrës dhe dyshimeve për korrupsion.
Arrestohet ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko. Policia e shtetit ka ekzekutuar urdhërarrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për të dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Arben Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve, nga Korriku 2017 deri në shtator të këtij viti. Më herët, Arben Cuko kishte qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e kaluar, i mandatuar nga Partia Socialiste.
Çuko u largua nga detyra e Drejtorit të Burgjeve në 3 Shtator 2018, me urdhër të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni.
Në një reagim pas arrestimit të Çukos, përmes një deklarate për shtyp, ministrja e Drejtësisë sqaron se shkarkimi i tij për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ.
Gjithashtu, edhe në cilësinë e Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion, ministrja Etilda Gjonaj i ka dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve.
Ministrja e Drejtësisë bën të ditur se mbështet prokurorinë në zbardhjen deri në fund të veprimeve të ish-Drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko./abcnews.al