Arrestohet djali i biznesmenit sirian, kapet me 2 pistoleta

schedule15:58 - 10 Shtator, 2021

schedule 15:58 - 10 Shtator, 2021

Një kontroll rutinë i policisë, çoi në pranga një 24 vjeçar sirian, me shtetësi shqiptare, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Gjatë mesnatës, Wasim Hajjazi, u ndalua në rrugën “Fuat Toptani”, në Tiranë, teksa lëvizte me mjetin e tij “Benz”. Sapo konstatoi efektivët e komisariatit numër 12, ai u largua me vrap prej andej, duke hedhur në një kanal buzë rrugës, sendet e kundraligjshme.

Pak metra më tutje, i riu sirian, me shtetësi shqiptare u arrestua. Ndërsa nga kontrolli përgjatë zonës, rezultoi në ai kishte hedhur 2 pistoleta, njëra me silenciator, municion luftarak, 2 thika, 1 përforcues grushti, si dhe një kapele me mbishkrimin Policia.

Tashmë ndaj tij rëndojnë 3 vepra penale, ndërsa më herët ka qenë i dënuar për “Trafikimi i qenieve njerëzore” dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”. 24-vjeçari është djali i biznesmenit Raghed Hajjazi, i cili në vitin 2015 i vuri flakën biznesit të tij të tapeteve në autostradën Tiranë-Durrës, për të përfituar 1.2 mln € siguracion.

Shifra financiare do të transferohej në llogaritë e biznesmenit si motivacion për dëmin e shkaktuar në fabrikë, por pas verifikimeve të kryera në atë kohë, rezultoi se zjarri ishte i qëllimshëm. Si pasojë e zjarrit u asfiksuan 6 persona, 2 punonjës, vjehrra e njërit prej punonjësve, si dhe 3 zjarrfikës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!