Arrestohet autori i pengmarrjes në një supermarket në Los Angeles

schedule11:43 - 22 Korrik, 2018

schedule 11:43 - 22 Korrik, 2018

Një ngjarje e rëndë tronditi Shtetet e Bashkuara. Një 28-vjeçar pas një grindje në familje, ku plagosi gjyshen dhe të fejuarën, mori disa pengje në një supermarket në Los Anxhelos. Autori u arrestua nga policia, por ndërkohë kishte vrarë një grua.

Momente frike në Los Anxhelos, ku një person mori pengje brenda një supermarketi në zonën e Silver Plate në Hollywood, pas ndjekjes së policisë dhe qëllimit të disa të shtënave. Në momentin e ngjarjes së tmerrshme kishte disa persona brenda godinës. Njëri prej tyre, një grua, u vra. Agresori u dorëzua pas rrethimit të policisë dhe u arrestua.

E gjithë ngjarja ka nisur tek banesa e autorit, një 28-vjeçar, i cili ka hapur zjarr kundër gjyshes dhe të fejuarës, njëra e plagosur rëndë dhe tjetra lehtë. Episodi ka lindur pas një grindjeje në familje. Më pas autori është arratisur me makinë, i ndjekur nga policia. Ndjekja ka përfunduar në zonën e Silver Lake, përpara një supermarketi. Makina e 28-vjeçarit është ndaluar nga përplasja me një shtyllë dhe më pas ka marrë pengje në supermarket. Më pas ka filluar përplasja me armë zjarri me agjentët e policisë, ndërsa të pranishmit janë terrorizuar.

Situata mbajti të gjithë vendin në ankth për shumë orë, dhe presidenti Donald Trump njoftoi se po e monitoronte ngjarjen. Pas negociatave, agresori, i cili mbeti i plagosur gjatë të shtënave me policinë, u dorëzua. Më pas të gjithë pengjet u liruan, përveç një gruaje, e cila u vra nga të shtënat me armë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!