Arrestohen katër persona, mes tyre edhe një polic

schedule18:08 - 26 Qershor, 2019

schedule 18:08 - 26 Qershor, 2019

Një punonjës policie është vënë në pranga pas hetimeve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Bëhet fjalë për 27 vjeçarin L. B., nga Tirana, me detyrë ndihmës specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Ndërkohë në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”. Ata janë  J. K., 26 vjeç, financier;  E. M., 35 vjeç dhe A.K, 31 vjeç, të gjithë nga Tirana.

Arrestimi  tyre u krye pas hetimeve që zgjatën tre muaj ku u siguruan prova se punonjësi i Policisë, në bashkëpunim me personat e tjerë, përveç se ishin përdorues, shpërndanin edhe lëndë narkotike. Ai duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.

Gjatë operacionit u sekuestruan provat materiale: pistoletë me fishekë; disa telefona celularë; dy qese plastike, në të cilat dyshohet se ka mbetje të lëndës narkotike kokainë dhe kopje kartëmonedhash të huaja.

Hetimet po vijojnë edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë furnizues me lëndë narkotike të personave të arrestuar./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!