Arrestohen dy policë serbë të Kosovës, manipuluan prova për vrasjen e Ivanoviç

schedule14:16 - 11 Shkurt, 2018

schedule 14:16 - 11 Shkurt, 2018

Policia e Kosovës ka arrestuar dy pjesëtarë të saj në Veri të Mitrovicës, pasi dyshohet se kanë manipuluar provat për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, media serbe Kurir që ka rindërtuar ngjarjen thotë se autorët e krimit janë larguar për 3 minuta.

Dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, u është caktuar paraburgimi, lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në pjesën veriore të Mitrovicës. Prokurori, Shyqri Syla ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ata janë paraburgosur të dyshuar se kanë kryer veprën penale “manipulim provash në rastin Oliver Ivanoviç”. Këta policë, që janë paraburgosur janë të punësuar në stacionin policor të pjesës veriore të Mitrovicës.

Sipas fjalëve të prokurorit Syla, është kryer edhe bastisja e shtëpive të tyre ku është gjetur një pistoletë e tipit TT me dy karikatorë me nga 9 plumba, të cilën e ka mbajtur pa leje. Kjo revole është konfiskuar nga ana e policisë. Lideri politik serb nga pjesa veriore e Kosovës, Oliver Ivanoviç, është vrarë më 16 Janar të këtij viti para selisë së Iniciativës qytetare, Liria, Demokracia dhe Drejtësia.
Pikërisht për këtë ngjarje, tabloidi serb “Kurir” ka rindërtuar skenën e krimit. Prokurori Syla ka bërë me dije fillimisht se Ivanoviç është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Mirëpo në videon e publikuar nga media serbe, vrasësi në fakt ka shtënë nga jashtë me 6 plumba për t’u futur më pas në veturë dhe të zhdukej më pas nga vendi i ngjarjes.

Politikanin serb të Kosovës e kishte gjetur të shtrirë një fqinje, e cila kishte dalë që të blinte bukë në dyqan. Pas kësaj në lagjen e “Doktorëve” është gjetur e djegur një veturë e tipit “Opel Astra”, e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët e Ivanoviçit. Pronari I saj është austriak me origjinë serbe. Sipas videos së “Kurir”, autorëve të ekzekutimit u janë dashur vetëm 3 minuta që të largoheshin nga skena e krimit.
Ndërkohë, zyrtarisht ende nuk dihet se kush fshihet pas kësaj vrasjeje, e cila bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare dhe që vazhdon të mbetet temë debati si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!