EMRAT/ Arrestohen dy persona në Shkodër, policia jep detajet

schedule09:38 - 20 Janar, 2021

schedule 09:38 - 20 Janar, 2021

Dy persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla.

Në pranga janë vënë Julian Muhja 43 vjeç dhe Kole Ksolla 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Gjatë aksionit për kapjen e tyre u sekuestuan 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

“Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gruda”. Goditet një rast i tentativës për shitje të farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre. Gjithashtu, gjatë operacionit goditet dhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.

Sekuestrohen rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Gruda”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. K., ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza lëndë narkotike cannabis sativa. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim”, njofton policia./mv.abcnews.al