Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Arrestimi i Maduros nga SHBA/ Vuçiç: Rendi juridik ndërkombëtar qartazi nuk funksionon

schedule14:38 - 4 Janar, 2026

schedule 14:38 - 4 Janar, 2026

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka kritikuar të dielën kapjen e aleatit të tij, udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.

Shtetet e Bashkuara e arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij gjatë një operacioni të shpejtë të shtunën në mëngjes, teksa njëkohësisht sulmet ajrore amerikane goditën disa vende, duke e tronditur kryeqytetin Karakas.

“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, tha Vuçiç për media të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.



Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork të dielën, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t’u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.

Vuçiç tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Zyrtarët e Serbisë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, pavarësisht se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë thënë se ai nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.

Vuçiç foli me Maduron për herë të fundit ka më 21 gusht 2025, kur zhvilloi bisedë telefonike. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç asokohe e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe tha se kishin biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

Një nga argumentet kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Venezuelën, të cilat i kanë paraqitur zyrtarët serbë, është fakti se Venezuela nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në inaugurimin e Maduros si president në janar të vitit të kaluar mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke nxitur kritika nga Brukseli.

Në vitin 2023, Serbia dhe Venezuela nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave dhe paralajmëruan hapjen e ambasadës serbe në këtë vend, i cili kufizohet me Kolumbinë, Brazilin dhe Guajanën. Regjimi venezuelian ndodhet nën sanksione nga Bashkimi Evropian, anëtarësimit të të cilit Serbia i synon, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!