Në “Log” me Endri Xhafon diskutohet sonte për “100” ditët e para të qeverisë “Rama 3”. Ministrja për Shtetin dhe Parlamentin Elisa Spiropali ndodhet sonte përballë një paneli të ftuarish si diplomati Agim Nesho, juristi Adriatik Lapaj dhe analisti Mentor Nazarko.
Ndërsa diskutohej për aferën e inceneratorëve dhe arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, zonja Spiropali u shpreh se PS ka dhënë shembull në mënyrën sesi është distancuar nga individë që mund të kenë pasur probleme me drejtësinë.
Ministrja e mbrojti politikën e qeverisë për trajtimin e mbetjeve me djegie, por shtoi se për “akte individuale secili mban përgjegjësitë përkatëse.”
“Për inceneratorët jemi të bindur edhe sot që duhen. Kur një person përballet me një kauzë bëhet distancimi nga grupi parlamentar deri në sqarimin e akuzës…nëse do të donim ta kontrollonim drejtësisë, s’kishim pse të bënim reformë në drejtësi.”
Sipas asaj që deklaroi Spiropali, qeveria në të cilën ajo bën pjesë ka pasur “një standard të llahtarshëm” sa i përket sundimit të ligjit. Ndërsa, duke u ndalur tek probleme të ekonomisë apo te largimi i shqiptarëve nga vendi, ministrja tha se në të dyja raste treguesit janë pozitivë.
Duke cituar raporte të OKB, ajo thotë se është e vërtetë që shqiptarët po largohen, “por në ritmet më të ngadalta në këto 30 vite,” ndërsa ekonomia, sipas ministres po njeh rritje.
“Ekonomia e ka marrë veten, por edhe nga masat që janë marrë. Në 2021 ekonomia filloi të rritej ndjeshëm, 14, 188 vende pune më shumë janë krijuar, pra janë rikuperuar ato që humbëm dhe janë shtuar të tjera.”
Deklaratat e ministres i kundërshtoi juristi Adriatik Lapaj i cili u deklaroi se sipas të dhënave të publikuara nga BE, prej vitit 2008 deri në 2021, nga Shqipëria kanë ikur 700 mijë qytetarë.
“Klasa politike e tranzicionit po na lë pas një trashëgimi të trishtë, dhe do t’ia dëgjojmë këngën pas 15 vitesh,” u shpreh Lapaj. /abcnews.al/