Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von Der Leyn kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët. Gjatë kësaj konference kryeministri u pyet lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.
Kryeministri Rama nënvizoi se këto janë çështje që i përkasin drejtësisë dhe për këtë do të flasë drejtësia vetë.
“Ju e dini përgjigjen dhe unë asnjëherë nuk bëj komente të politikë së brendshme në gjuhë të huaj, apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin se që kur e kemi nisur reformën në drejtësi as unë dhe as forca politike që udhëheq nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë”, tha Rama.
Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK-u e shpalli person në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.
/abcnews.al/