Arrestime zyrtarësh, SPAK zbarkon në bashkinë e Durrësit

schedule09:21 - 29 Tetor, 2021

schedule 09:21 - 29 Tetor, 2021

Tetë persona, zyrtarë dhe punonjës të kompanive private kanë rënë në pranga për abuzimin me tenderin 7 mln lekë në bashkinë e Durrësit, i zhvilluar në maj-qershor 2020. Ndërkohë që SPAK ka shkuar sërish sot në mëngjes në bashkinë e Durrësit duke sekuestruar disa dosje.

Të përfshirë në skemë janë; Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu, Artan Taho, Pastriot Beqaraj, Indrit Matmuja, Gjergj Markola, Riza Sulaj, Lulzime Rami dhe Albion Bushi. Adriatik Velaj është Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri Durrës, Patriot Beqaraj, ish-drejtor i burimeve njerëzore në bashkinë Durrës, kurse Albion Bushi administratori i R&R GROUP.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu, Artan Taho, Pastriot Beqaraj, Indrit Matmuja, Gjergj Markola, Riza Sulaj, Albion Bushi. Në “arrest shtëpie” janë lënë Lulzime Rami dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen E.R.

Zyrtarët u arrestuan për tenderin për një autoshkallë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, zjarrfikësja. Në shpalljen e fituesit, njësia e prokurimit ka njoftuar se është zgjedhur kompania me ofertë më të ulët e cila sipas anëtarëve të Komisionit të Ofertave është përcaktuar ekonomikisht më e favorshme.

Fillimisht ata kanë skualifikuar dy kompani në garë me argumentin se nuk plotëson kriterin për gjatësinë e shkallës dhe numrin e akseve të mjetit. Ndërsa kompania tjetër nuk ka paraqitur autoshkallë në garë për mjet të tipit autokullë. Tenderi mban firmën e Emiriana Sakos, aktualisht kryetare në detyrë e Bashkisë së Durrësit./ Abcnews.al