Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg tre të arrestuarit për vrasjen e Jurgen Kurtit. Elsi Levendi, Olsi Qalliaj dhe Alesio Berberiu akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim. Policia ka shpallur në kërkim Klodjan Banen.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për tre personat e arrestuar për vrasjen e Jurgen Kurtit. Elsi Levendi, Olsi Qalliaj dhe Alesio Berberi dyshohet se sëbashku më Klodjan Banen, kanë planifikuar dhe ekzekutuar 26 vjeçarin Kurti. Klodjan Banen është shpallur në kërkim nga policia. Për të ruajtur sekretin hetimor, gjyqtari Gerd Hoxha ka zhvilluar seancën me dyer të mbyllura.
Tre të rinjtë akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë. Gjatë zhvillimit të seancës, të rinjtë nuk kanë dhënë asnjë sqarim për ngjarjen dhe kanë mohuar akuzat. Sipas burimeve në relatimin e organit të akuzës thuhej se ata e kanë ndjekur prej ditësh menaxherin e VIP-ave.
Automjeti tip “Benz”, me të cilin kanë lëvizur personat e dyshuar kishte targa false natën e ngjarjes. Këto detaje janë të fiksuara nga kamerat e sigurisë se zonës përreth. Të rinjtë ranë në rrjetën e prokurorisë me anë të përgjimeve telefonike. Ku po flisnin për një punë që kishin përfunduar dhe se kur do i merrnin paratë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e të arrestuarve, policia ka sekuestruar automjetin tip “Benz” që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro dhe lekë shqiptare si dhe dy makina luksoze./abcnews.al