Arratisja e të riut nga ambientet e Gjykatës së Korçës, 4 policë nën hetim për shpërdorim detyre

schedule08:49 - 9 Maj, 2022

schedule 08:49 - 9 Maj, 2022

4 policë janë në hetim për shpërndorim detyre pas arratisë së 21 vjeçarit Kristjan Medolli nga Gjyakta e Korçës ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg. 21 vjeçari me pranga në duar ka dalë me vrap nga garazhi i gjykatës.

I riu nga fshati Qatrom i Korçës u arrestua 3 ditë më parë si i dyshuar për grabitjen e një biçiklete dhe një motor frigoriferi. Kristjan Medolli, sapo mësoi se do qëndronte në burg u arratis nga Gjykata e Korçës, por u arrestua shumë shpejt në afërsi të azilit të Korçës, afër kishës së Shën Thanasit, i futur nëpër ferra e shkurre.

Lexo edhe: Iku nga Gjykata e Korçës, merr fund arratia e të riut, kapet nëpër ferra

Nga veprimet hetimore, siç thuhet në njoftim, ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Njoftimi i plotë

Korçë – Më datë 08.05.2022, Drejtoria Rajonale Elbasan – Korçë e AMP në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, referoi materialet e para hetimore në gjendje të lirë për 4 punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;

• Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,

• Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë

• Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme

• Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë

Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!