Policia italiane është në kërkim të 27-vjeçarit shqiptar Edison Pula që u arratis nga burgu i Trevisos dy ditë më parë duke vënë alarmin në sistemin e sigurisë së burgjeve në vendin fqinj.
Mediat italiane raportojnë duke iu referuar burimeve nga policia, e cila dyshon se Pula preu hekurat e qelisë së tij përmes një sharre që ishte future aty disa kohë më parë. Policia dyshon se Pulës iu dërgua sharra me një dron nga anëtarë të grupeve kriminale, të cilat sipas tyre kanë të bëjnë edhe me Ndraghetan.
Lexo KËTU gjithçka nga arratisja e Edison Pulës
Deri më tani nuk ka ende të dhëna në lidhje me faktin se kush ia ka dërguar sharrën Edison Pulës në burgun e Santa Bonas, megjithatë anëtari i bandës së Niklës ka humbur çdo gjurmë edhe pse shanset që të dalë nga Italia janë të vogla për shkak të intensitetit të lartë të kërkimeve.
Arratia
Edison Pula preu hekurat e qëlisë së tij me një sharrë, veprim i cili u krye për disa ditë më radhë dhe në fund pasi gjeti mundësi të ikte, ai dhe dy shqiptarë të tjerë përdorën një çarçaf të dhomës për të zbritur në tokë. Pas zbritjes ata vrapuan nëpër arat pranë burgut, teksa policia kapi dy prej shqiptarëve, ndërkohë që Pula u zhduk.
Arrestimi
Edison Pula u arrestua në shkurt, në qendrën tregtare Emisfero di Silea.
Ai ishte pjesë e bandës së grabitjeve të shtëpive dhe është ndër të dyshuarit për grabitjen në shtëpinë e naftëtarit Miotto në Mogliano Veneto.
Hetuesit e akuzojnë atë për 50 vjedhje të shënuara midis provincave Treviso dhe Belluno.
Por Pula po mbahej në Santa Bona me një urdhër-arresti evropian me akuzat për tentativë vrasje, grabitje, vënie eksplozivi dhe krime të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.
Tani e gjithë policia italiane është vënë në kërkim të shqiptarit.
Koha luan në favor të të arratisurit dhe ndoshta ai ka arritur të largohet nga territori italian ku kërkohet aktivisht. /abcnews.al