Tregtia e përfolur e armëve me Jemenin është kthyer në një debat politik në Serbi. Ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiç ka mohuar përfshirjen, dyshimet kanë rënë mbi babain e Ministrit të Brendshëm. Ndërkohë, për analistët akuzat janë një farsë pasi bëhen nga vende që furnizojnë vetë me armë luftërat.
Serbia është akuzuar si tregtare me armë me të cilat luftohet në Jemen. Këtë gjë e ka mohuar Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, e cila përmes një njoftimi ka thënë se kundërshtarët politik nxisin një akuzë të tillë pasi në të nuk ka të vërteta. Megjithatë, në një shkrim të publikuar në “Arms Watch”, me tregtinë me armë lidhet i ati i Ministrit të Brendshëm serb. Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm, tani politikan i opozitës, Zdravko Ponosh, ka thënë se prapa kësaj qëndron vet Vuçiç, por presidenti e ka mohuar.
“Nuk e di çfarë të them për këtë pyetje? Nuk njoh asnjë tregtar me armë as nga Arabia Saudite apo ndonjë vend tjetër, pasi nuk jam marrë me këtë punë. Ndoshta opozita do të arsyetojë paratë që ka marrë nga ambasada e Katarit. Le të më thonë me kë kam tregtuar”, tha Vuçiç.
Por, si qëndron me të vërtetë puna? Analisti ushtarak, Alleksandër Radiç, thotë se Serbia shet armë, por këtu nuk ka një problem ligjor. Thotë se reagimi ndërkombëtar nuk ekziston pasi armë shesin edhe SHBA dhe Rusia. Sauditët, siç thotë Radiç, tolerohen.
“Autoritetet amerikane e dinë shumë mirë se ku shkojnë këto pajisje pasi blihen nga Serbia. Është e trishtë të tregohet me gisht në drejtim të Serbisë dhe të flitet se si Serbia shkel norma morale, pasi këtu nuk flasim për parime ligjore. Sauditët kur luftojnë në Jemen dhe qëllojnë ndaj civilëve lëvizin me makina amerikane Henvey, ku ndodhet armatimi rus. Kështu bëhet kjo luftë dhe amerikanët dhe rusët bëjnë garë për treg”, tha analisti.
Ekspertët thonë se për Serbinë është më shumë temë nëse në këtë aferë ka korrupsion dhe favorizime. Paradat e shpeshta ushtarake dhe testimet në Serbi nuk kanë munguar. Një pjesë e tyre janë edhe si ekspozita për vendet e treta./ABC News Albania 24/7