Armata e “burrave” të fushatës/ Zgjedhjet, PD cakton drejtuesit e qarqeve dhe dy zëvendësuesit e Berishës

schedule19:40 - 4 Shtator, 2024

schedule 19:40 - 4 Shtator, 2024

Sali Berisha po ia beson burrave përballjen me Edi Ramën, që do të kërkojë mandatin e 4-t radhazi në krye të vendit.

Këtë mbrëmje të mërkure Kryesia e PD-së vulosi ekipin që do të drejtojë fushatën në të gjithë Shqipërinë, lista përbëhet nga besnikë të Berishës apo edhe të afruar pranë tij këtë vit.

Ndërsa Berisha vijon të flas çdo mbrëmje nga ballkoni i banesës së tij, do Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm dhe Edi Paloka kryetar i Këshillit Kombëtar, do të jenë të parët e fushatës, të mbështetur nga 12 drejtues qarqesh.

Qarku më i madh, Tirana do të drejtohet nga kandidati që garoi për kryebashkiak të kryeqyteti, Belind Këlliçi. Kjo nuk do të jetë eksperienca e parë  e tij në kryeqytet të Këlliçit, edhe pse në një format tjetër në 2021-shin e Bashës.

Durrësi i është besuar Oerd Bylykbashit, ndërsa Luciano Boci bën një kapërcim jo të vogël, nga njëri i Elbasanit, shkon në Shkodër.

Nga grupi i Bardhit më parë, Berisha ia ka lënë Agron Gjekmarkaj Lezhën, ndërsa kryetarin e grupit, nga Parlamenti po e fokuson tek qarku i Fierit, duke ia hequr Elbasanin që ia kishte besuar Lulzim Basha në 2021. Në vend të tij, Berisha këtë herë do të përpiqet të jetë më i suksesshëm me Ervin Salianjin.

Skajet e Veriut dhe Jugut nuk ndryshojnë, sërish deputeti Flamur Hoxha, qëndron në Kukës, Xhelal Mziu drejton demokratët e Dibrës, Gjirokastrën sërish nuk e ka lëshuar Tritan Shehu, ndërsa Vlora sërish do të ketë Bujar Leskajn.

Në terren do të sprovohet për herë të parë si drejtues Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së, në betejat ligjore në KQZ.

Lista e Berishës ka një të përbashkët, të gjithë janë burra, çfarë ka shkaktuar mërzitje tek të paktën Edith Harxhi. Kur Noka mbylli dyert e Kryesisë, për diskutime, Harxhi nuk është treguar e kursyer për këtë detaj.

“Është për të ardhur turp, që gjithë kjo parti nuk ka një zonjë për të drejtuar një qark. Jemi kthyer në parti burrash, jemi bërë për turp”.

Por asaj i ka rënë në sy edhe distanca që mban Bardhi prej kauzave të vetë besnikëve të Berishës.

“Përse nuk keni bërë asnjë lëvizje apo aksion si grup parlamentar për lirimin e liderit të Partisë Demokratike? Nuk mund të mjaftohemi me dy letra kancelarive. Duhet një aksion, lideri i partisë po mbahet politikisht në arrest shtëpie”.

Berisha megjithatë nuk ka mbarur ende punë me drejtuesit, të paktën deri sa të ndaj cilët do të mbaj në listë të sigurt e cilët do i rriskojë duke i lënë në dorë të zgjedhësve dhe ku do i vendos ata që këtë mbrëmje i caktoi si ekipin drejtues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!