Argjentina është akuzuar jo pak herë si “e përkëdhelur” dhe “e favorizuar” nga Gianni Infantino dhe FIFA. Për këtë arsye deklarata e fundit e Federatës Argjentinase në mbështetje të presidentit të qeverisë botërore të futbollit dhe presidentit të saj është konsideruar si një “kthim nderi”.
Federata argjentinase reagoi për herë të parë publikisht me një letët të firmosur nga presidenti Claudio Tapia, duke u rreshtuar në krah udhëheqjes qendrore të FIFA-s, pikërisht në kohën kur drejtuesi zviceran po përballet me kundërshtime të forta dhe kërcënime për bojkot nga UEFA.
Në deklaratën e saj zyrtare, federata argjentinase e mirëpriti vendimin për të hequr dorë nga një nismë që kishte krijuar “shumë më tepër pasiguri sesa siguri”. Ajo gjithashtu vlerësoi vetëkritikën e Infantinos, duke e cilësuar “pranimin e gabimeve të bëra gjatë procesit dhe kërkim-faljen e tij” drejtuar 211 shoqatave anëtare si një gjest të qeverisjes së mirë.
Ajo rikonfirmoi në mënyrë të prerë mbështetjen e saj politike për Infantinon, duke vënë në dukje mandatin e tij dhjetëvjeçar.
Me këtë deklaratë, duket se Infantino po fillon të konsolidojë një mbështetje konkrete. Argjentina u bashkohet federatave si ajo e Meksikës dhe Konfederatës së Futbollit Afrikan në mbrojtjen e presidentit aktual./abcnews.al


