Manastiri i Ardenicës midis Lushnjës dhe Fierit, është një nga pika turistike që po vizitohet nga shumë turistë të huaj dhe vendas. Por, shqiptarët që vijnë nga jashtë, thonë se ky vend pavarësisht se popullohet, nuk ka ndryshuar asgjë.
Ardenica po përjeton ditët më të mira të turizmit të saj. Manastiri, i ngritur në pikën më të lartë të kodrave të fshatit vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj.
Sot, kjo zonë listohet në guidat turistike shqiptare, ndaj është kthyer në vendqëndrim për ata që udhëtojnë drejt jugut. Vizitorët e ardhur gjatë muajit korrik janë nga Polonia, Franca, Italia, India dhe Kina.
Këtij fluksi turistësh i shtohen edhe vendasit. Në sytë e këtij çifti që kthehen pas më shumë se 20 vitesh në Manastir, asgjë nuk ka ndryshuar. Kur krahasimin e bëjnë me turizmin evropian, kjo pikë u duk e lënë pas dore.
Manastiri i Ardenicës është zona kryesore turistike për Lushnjën. Kisha dhe afresket e saj janë të vetmet objekte ku lejohet hyrja, pasi zona ku qëndrojnë murgjit është e ndaluar.
Për shkak të pozicionit gjeografik në lartësinë e kodrave, nga maja e saj aty ku ndodhen disa restorante, turistët qëndrojnë jo vetëm për të drekuar, por edhe për të parë fushën e Myzeqesë. /ABC News Albania 24/7