Teuta përballet nesër me Kukësin në duelin çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Durrsakët duan kualifikimin dhe fitimin e këtij trofeu për të dytin sezon radhazi. Kapiteni Renato Arapi e vlerëson kundërshtarin e radhës dhe thekson se do të donte ta mbyllnin çështjen e kualifikimit në 90 minuta.
“Sigurisht që presim një ndeshje shumë të vështirë, por kam besim. Me ekipet e mira kemi treguar lojëra të nivelit të lartë dhe kemi marrë rezultate. Ne do të përgatitmi për gjithçka, normalisht do na pëlqente ta zgjidhnim brenda 90 minutave pasi pas pak ditësh kemi ndeshjen tjetër me Partizanin. Mbetet një ndeshje e fortë dhe gjithçka do e vendosë fusha”, tha Arapi fillimisht.
I pyetur më pas në lidhje me golat e paktë që Teuta shënon, kapiteni shton: “Kjo është një problematikë që nuk e ka vetëm Teuta, e kanë edhe ekipet e tjera në përgjithësi. E rëndësishme është që krijojmë raste, dominojmë. Kjo është ajo që të bën të besosh për ecurinë e mëtejshme, pastaj finalizimi është çështje tjetër”.
Kur i kujtojnë Arapit që Kukësi është i vetmi ekip që u ka shënuar dy gola këtë sezon, mbrojtësi shprehet: “ Çdo ndeshje është një histori më vete. Sigurisht që ekipi i Kukësit do vlerësim maksimal, pasi ka futbollistë cilësorë. Kanë edhe eksperiencë dhe në momente të veçanta mund të bëjnë diferencën, çka na bën ne ta rrisim përqendrimin. Normalisht do tentojmë t;i minimizojmë gabimet”.
Kupa apo kampionati? Mbrojtësi durrsak nuk heq dorë nga asnjëra: “Ekipi ynë është ndërtuar për të luftuar në të dyja frontet, pasi ka 22 lojtarë për të luajtur nga fillimi. Nuk besoj se do na pengojë kjo pjesa, të synojmë kupën apo kampionatin. Ne do i bëjmë hyzmetin dhe do luftojmë në të dyja kompeticionet”.
Vjet Arapi e ngriti Kupën e Shqipërisë dhe më pas Superkupën. A ka ardhur momenti për titullin kampion? Arapi do donte shumë: “Ëndrra ime ajo është, këtu jam rritur si fëmijë. Kur je fëmijë ëndërron të luash me ekipin e qytetit dhe pse jo të fitosh edhe titullin kampion. Jemi akoma në kohë dhe shpresojmë që t’ia dalim”. /abcnews.al

