Arapi: Rikthimi në Durrës armë shtesë, pres Laç të kujdesshëm nesër

schedule18:59 - 29 Mars, 2022

schedule 18:59 - 29 Mars, 2022

Renato Arapi, trajneri i Teutës, në prag të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë kundër Laçit ka dalë para mediave dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Fillimisht foli për pushimin e kampionatit, sa u ka shërbyer durrsakëve, për të kaluar te Laçi dhe rikthimi në Durrës.

“Na ka shërbyer goxha pushimi, pasi kemi pasur kohë për të punuar si nga ana fizike, por dhe nga ana tekniko-taktike. Besoj se e kemi shfrytëzuar në maksimum dhe të paktën për këto ditë që jemi stërvitur përgjigja e lojtarëve ka qenë shumë pozitive”.

“Laçi? Normalisht që është një ndeshje e vështirë, duke qenë se është një gjysmëfinale. Përballemi kundër një kundërshtari që është realisht i fortë dhe ndodhet në vendin e dytë. Pres që të dyja ekipet nesër të jetë të kujdesshme dhe ndeshjet do vendosen nga episodet”, shtoi Arapi.

“Stadiumi? Normalisht që ka qenë një periudhë e gjatë, që nuk kemi luajtur në fushën tonë. Në mos gaboj hera e fundit ka qenë ndeshja ku fituam titullin kampion. Është një armë shtesë dhe këtu gjej rastin që të kërkoj mbështetjen e tifozëve durrsakë. Shpresoj që t’i kënaqim ata me lojë dhe rezultat.”

“Kemi lojtarë në ekip që kanë fituar trofe dhe kanë eksperiencë. Çdo ndeshje dhe në kampionat ka presion, por atë presion duhet të dish ta menaxhosh. Në kokën time e kam kristalizuar formacionin. Mungon vetëm Jackson”, u shpreh Arapi. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!