Arapi: Jorgji shpik rregulla! Po pësojmë shumë gola, fituam të riun Jazxhi

schedule19:36 - 13 Shkurt, 2022

schedule 19:36 - 13 Shkurt, 2022

Teuta u mund nga Vllaznia dhe ashtu si me Partizanin pësoi 4 gola. Trajneri Renato Arapi, pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Do ta hidhja ekipin në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtët lojtarë. Sot reaguam shumë mirë pas golave të pësuar, ky është ndryshimi me ndeshjen me Partizanin.

Jam i kënaqur me pjesën e parë të ekipit.  U munduam t’i përshtatemi kundërshtarit dhe vetes tonë. Jemi në një moment formatimi, tentuam të fusim djem të rinj. Shpresoj të rritemi. Kemi vetëm dy ditë që punuam me skemën e re. Në sulm bëmë mirë, por duhet kohë. Edhe Vllaznia ka lojtarë që ta vështirësojnë lojën”.

Arapi gjatë ndeshjes pati pretendime për një aksion ta ndaluar nga arbitri Jorgji, i cili mund ta linte të vazhdonte dhe më pas ta shikonte në VAR nëse kishte faull. (SHIKO VIDEON)

“Ky arbitri i shpik vetë këto rregulla. Mua nuk më duket faull, Lorenco Vila është përpara lojtarit të Vllaznisë, ka shtytje. Të përfundonte aksioni, më pas të ndërhynte VAR-i”, tha trajneri i Teutës, i cili më pas foli edhe për problemet në mbrojtje.

“Ne e dimë ku e kemi problemin, janë shumë gola të pësuar. Kemi punuar shumë, por jo çdo gjë rregullohet shpejt. Më bën optimist fitimi i një lojtari si Jazxhi. Ai dhe Beqja bënë performancë të shkëlqyer.

Do isha i kënaqur nëse shkëputemi nga zona e ftohtë. Një nga objektivat tonë është edhe fitimi i Kupës. Normalisht nuk është e lehtë, kemi përballë tre ekipe në formë të mirë. Shpresoj të jemi përmirësuar deri atëherë dhe të përballemi si të barabartë me ta”, përfundoi Arapi. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!