Arapi: Fitorja, objektivi i vetëm me Kukësin! Ja pse vuajnë ekipet në sulm

schedule14:38 - 28 Shkurt, 2020

schedule 14:38 - 28 Shkurt, 2020

Renato Arapi është gati për ndeshjen me Kukësin. Kapiteni i Teutës e ka shprehur diçka të tillë sot në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai ka treguar gjendjen e tij, ndërkohë që ka folur për ndeshjen e radhës me Kukësin, objektivin Europë dhe për një problem madhor që është shënimi i golave.

TERAPIA NË SERBI – “Pas terapisë që pata atje dhe pas ekzaminimeve, besoj që jam gati. Jam stërvitur normalisht edhe përpara se të shkojë për të bërë terapi. Është një vendim që i takon stafit drejtues. Unë jam i gatshëm për ndeshjen, 100 për qind.

NDESHJA ME KUKËSIN – “Në këtë moment që ndodhemi ne, nuk ka kohë për hapa fals. Na duhen pikët dhe synimi ynë për nesër janë vetëm tre pikët, asgjë tjetër. “A ju kënaq barazimi? Çdo ndeshje është histori në vete, futbolli prandaj është i bukur.

Ne luajmë kundër një ekipi që është pretendent për titullin kampion. Gjithashtu kanë edhe cilësi. Ne thjesht i respektojmë dhe do mundohemi, siç e thashë, të japim maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen. Kjo është e vetmja zgjidhja për ne në momentin që flasim”.

RREZIKIMI I EUROPËS – “Nuk vihet në rrezik Europa, sepse veç kampionatit ne kemi edhe Kupën. Plus në këtë moment që po flasim ne jemi vetëm tre pikë nga vendi tretë, kështu që besoj se ka shumë ndeshje dhe shumë pikë deri në fund”.

PROBLEMET NË SULM – “Kjo është një pyetje që nuk duhet të ma drejtoni mua, por trajnerit ose stafit. Siç e dimë të gjithë, problemi i sulmit nuk është vetëm te Teuta, por te kampionati në përgjithësi. Është e vështirë që me buxhetet që kanë klubet shqiptare të gjenden lojtarë cilësorë, aq më tepër në merkaton e janarit. Shpresoj që edhe Hebaj të marrë më shumë minuta dhe t’i tregojë vlerat e tij”, tha Arapi.

Ai komentoi edhe shënimin e golave përgjithësisht përmes goditjeve standarde: “Me statistika, 70 për qind e golave shënohen me goditje standarde, jo vetëm në kampionatin shqiptar, por në gjithë botën. Janë shumë faktorë që ndikojnë te mungesa e golave, por kryesori është buxheti i klubeve shqiptare, që është disi i limituar. Kjo nuk lejon të vijnë lojtarë shumë cilësorë në kampionatin tonë dhe kjo është e gjitha”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!