“Apple”, kompania numër 1 në botë

schedule20:53 - 2 Gusht, 2018

schedule 20:53 - 2 Gusht, 2018

Me një rritje intensive të aksioneve të saj në bursë, “Apple” është kthyer në kompaninë e parë amerikane që arrin vlerën e 1 trilion dollarëve, duke u bërë kështu grupi numër 1 në tregjet financiare.

“Apple” është bërë kompania e parë në Shtetet e Bashkuara me një vlerë prej 1 trilion dollarë. Mesditën e së enjtes në bursën e Nju Jorkut, prodhuesi i iPhone-ve dhe iPad-ëve ka regjistruar një rritje me 207 dollarë të aksioneve të tij. Aksionet e kompanisë janë rritur me 9 për qind që prej së martës, kur bordi i saj raportoi një rritje të të ardhurave përtej parashikimeve për tremujorin mars-prill-maj.

Që kur hyri për herë të parë në tregjet financiare, në vitin 1980, vlera e “Apple” është rritur me mbi 50 mijë për qind. Ndërsa që kur iPhone i parë doli në shitje në vitin 2007, aksionet e saj janë ngjitur me 1 mijë e 100 për qind dhe me një të tretën e kësaj kuote në 12 muajt e fundit. “Apple” mori jetë në garazhin e Steve Jobs në vitin 1976 dhe fillimisht u bë e njohur për kompjuterët personale “Mac”, për të vijuar më pas me telefonin e parë smart që i hapi rrugën ekonomisë së aplikacioneve. Jobs, të cilit i njihet merita për ndryshimin e mënyrës së komunikimit shoqëror dhe praktikave të të bërit biznes, ndërroi jetë në vitin 2011 dhe u zëvendësua nga Tim Cook.

Me të marrë drejtimin, Cook ka dyfishuar fitimet e kompanisë, ndërsa po përpiqet të zhvillojë një produkt të ri për të alternuar ndikimin e iPhone-it në shoqëri, për shkak se në vitet e fundit ka pësuar një rënie të shitjeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!