Javën e shkuar Tirana fitoi ndaj Lçit dhe i dha mundësinë vetes të përsërisë nisjen e vitit të kaluar në marshimin për titullin. Ndalesa e radhës është Apolonia dhe para kësaj ndeshje trajneri Nevil Dede doli në konferencë për shtyp.
FITORJA NË LAÇ – “E rëndësishme është që çunat e ndjenë veten më mirë dhe arritën të marrin tre pikë. Ishte ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari shumë të fortë. Gjithçka duhet të pasohet nga një ecuri pozitive që të ketë vlerë edhe fitorja në Laç”.
APOLONIA – “E kam thënë dhe do ta them se në Superiore nuk ka kundërshtarë të lehtë. Në të njëjtën mënyrë do të vlerësojmë Apoloninë, që është një skuadër simpatike dhe duan të luajnë futboll. Nuk janë skuadër që mblidhen mbrapa dhe mendojnë të mbrohen. Duan të shprehin cilësinë e tyre.
Është e natyrshme që kur shënon dhe je në avantazh gjithçka të duket më e lehtë, Janë disa faktorë si ai psikologjik. Nëse ti je na avantazh e ke më të lehtë dhe kundërshtari nis të humbë durimin dhe ti mund të shprehesh më mirë.
Kemi lojtarë me eksperiencë dhe shumë të talentuar me perspektivë shumë të madhe, siç janë edhe lojtarët e ardhur nga akademia. E rëndësishme është se ka një ndjenjë dhe frymë harmonike në skuadër. Kjo është më e rëndësishmja. Duke shtuar edhe rezultatet gjithçka bëhet më e lehtë”.
ROTACIONI – “Në disa momente një skuadër duhet të ketë bosht të caktuar dhe disa lojtarë do mbajnë ngarkesë më shumë. Por edhe rotacioni duhet të ekzistojë për shkak të rotacionit dhe ngjeshjes së madhe të ndeshjeve. Në do mundohemi të bëjmë më të mirën. E rëndësishme është të kem sa më shumë zgjedhje”.
RËNDËSIA E NDESHJES – “Nuk është e lehtë të fitosh ndaj Apolonisë. Në momentin që ne nuk fitojmë ndaj Apolonisë, bie edhe rëndësia e fitores në Laç. Ajo ishte një fitore e rëndësishme për ecurinë e kampionatit sepse jo çdokush mund ta mundë Laçin. Lojtarët tanë kanë eksperiencën dhe talentin e duhur si dhe dinë të marrin përgjegjësinë”.
FAVORITËT – “Besoj në mesin e fazës së dytë mund të konkurojë çdo skuadër. Të gjithë në këtë periudhë kanë problematikë ngjeshjen e ndeshjeve. Të gjithë mendojnë të ruajnë energji dhe lojtarët për ngarkesat e mëdha fizike.
Në merkato mund të ketë zhvillime të tjera, por gjithsesi mendoj se fundi i fazës së dytë do jetë tabloja, që mund të konturojë skuadrat për titullin kampion. Është kampionat shumë i vështirë, asnjë përballje nuk është e lehtë. Edhe rezultatet janë të ngushta”.
KONSOLIDIMI – “Skuadra po merr formë. Nuk është korrekte të tregoj pozicionet e lojtarëve apo mënyrën si i përgatisim ndeshjet. E rëndësishme është se kemi dy sulmues, dy numra 10, shumë mesfushorë qendre dhe katër apo pesë qendërmbrojtës”.
STRATEGJIA – “Kemi lojtarë krahu shumë të talentuar dhe të gjitha këto më bëjnë të mendoj se ne kemi marrë formë. Filozofia më rëndësishme që duhet të kemi është të sulmojmë me gjithçka kemi, bashkë tifozët që na mbështesin gjithmonë, megjithëse na mungojnë në stadium. Por do mbrohemi me gjithçka mundemi”.
MUÇI – “Mua më intereson se Muçi po rritet nga dita në ditë, jo vetëm në kualitet sepse atë e ka pasur gjithmonë. Është një djalë me shumë perspektivë dhe shumë i talentuar, por po rritet dhe po sakrifikon për këtë ndeshje. Kemi parë ndeshjen me Laçin dhe sparkatat në ndeshjen me Partizanin. Rritet si person.
Ka kuptuar që të bëhesh një lojtar i madh duhet të punosh shumë dhe detajet e vogla e bëjnë një futbollist të madh. Uroj çdo futbollist të ketë karrierë të suksesshme dhe të ndihet i realizuar. Komandën e japin financat dhe në momentin që ato e kënaqin një klub, atëherë ato mendojnë se edhe një lojtar i talentuar mund të shitet. Mua më intereson që lojtarët të rriten dhe për Muçin jam i lumtur”.
HASANI DHE NGOO – “Për sa i përket atyre, çdo skuadër në botë dëshiron të përmirësohet, edhe klubet më të mira, që janë në vend të parë. Unë dua të kem besimin e grupit sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe nëse ndodh kështu gjithçka shkon mirë.
Emrat janë gjithmonë të mirëpritur, por më të mirët në botë për mua janë ata që unë trajnoj për momentin dhe ata besojnë te unë”, përfundoi Dede. /abcnews.al