“Aplikimi mbështetet nga 48% e popullsisë,” Hastad: Pse duhet ta mbështesni Suedinë për futjen në NATO

schedule13:17 - 17 Maj, 2022

schedule 13:17 - 17 Maj, 2022

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, në një konferencë për mediat ka shpjeguar arsyet dhe procesin që vendi i saj do të ndjekë në aplikimin për t’iu bashkuar NATO-s. Ndër të tjera, në fjalën e saj Elsa Hastad kujtoi se të hënën u takua me kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Punët e Jashtme, dhe të dy i siguruan mbështetjen e Shqipërisë për Suedinë në këtë proces.

Diplomatja suedeze shpjegoi se mënyra më e mirë që vendi të ketë siguri kombëtare, duke pasur parasysh situatën në Ukrainë, është që të aplikojë për anëtarësim në NATO. Sipas saj, 48% e suedezëve e mbështesin anëtarësimin në aleancë dhe po ashtu nisma mori edhe një mbështetje të gjerë në parlament.

Suedia ka marrë tashme vendimin për të rritur shpenzimet në Mbrojtje me 2 për qind të GDP-së. Dhe po ashtu, siç tha edhe ambasadorja, vendi do të kontribuojë në aleancë me kompetencën e lartë teknologjike që ka edhe me pajisje edhe me njohuri për operim në terrene të vështira apo nën ujë.

“Do të bashkojmë duart me Finlandën dhe do të ndjekim të gjithë procesin për t’u bërë anëtarë…Tani ambasadori jonë i NATO-s në Bruksel, do të dërgojë aplikimin, do presim Finlandën dhe do të ndodhë sot ose nesër. Duhet të ratifikohet nga të gjithë anëtarë të NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë.”

E pyetur nëse Suedia do t’i “kthejë nderin” Shqipërisë duke i dhënë suport në procesin e anëtarësimit në BE, Hastad tha se kjo është diçka që vendi i saj e ka bërë prej 20 vitesh tashmë.

“Po e ndihmojmë shumë Shqipërinë. SuediA prej 20 vitesh e ka ndihmuar Shqipërinë që të bëhet anëtare e BE-së. Po ashtu, asistojmë me fonde. Mendoj që ndihma jonë është e rëndësishme dhe do të vijojmë me këtë mbështetje.” /abcnews.al/