Një aplikacion për fitnesin po alarmon sigurinë globale, për shkak të aftësisë që ka, për të zbuluar lëvizjet dhe bazat ushtarake. “Strava” është emri i aplikacionit, që numëron mbi 10 milionë përdorues në gjithë botën.
Një aplikacion në smartfonë për fitnesin që shënon në një hartë ushtrimet e zhvilluara nga persona të ndryshëm mund të përbëjë kërcënim për forcat e sigurisë në të gjithë botën. “Strava”, që e konsideron veten si “rrjet social për atletët” dhe lejon përdoruesit të shpërndajnë rrugët që kanë vrapuar, publikoi një hartë globale të përditësuar nëntorin e kaluar. Por ekspertët kanë kuptuar sëfundmi potencialin e saj për të zbuluar vendndodhjen e forcave të sigurisë që punojnë në baza ushtarake në vende të largëta.
Nathan Ruser, një student 20-vjeçar nga Australia dhe analist për Institutin “United Conflict Analysts”, publikoi në tuiter një mesazh ku tregonte se Bazat Ushtarake Amerikane mund të identifikoheshin qartësisht dhe të gjendeshin në hartë. “Nëse ushtarët e përdorin aplikacionin ashtu si qytetarët e tjerë, aktivizimi i opsionit të vendndodhjes gjatë zhvillimit të ushtrimeve mund të jetë shumë i rrezikshëm”, shkruan Ruser duke nënvizuar se aplikacioni nuk duhet të jetë në gjendje të zhvillojë këto aftësi për zbulimin e vendndodhjes.
Ndërkohë, “strava” në nëntor theksoi se me përditësimin e fundit do të lejojë përdoruesit të kenë 6 herë më shumë të dhëna. Aplikacioni regjistron dhjetra milionë përdorues. Zbulimi I vendndodhjes bëhet me anë të GPS nga FitBits, celularët dhe pajisje të tjera të fitnesit. Në një reagim lidhur me këtë zhvillim, Pentagoni thotë se po e shqyrton rastin dhe situatën në mënyrë që të aprovojë rregulla të reja në mënyrë që të garantohet siguria e personelit ushtarak brenda dhe jashtë vendit./abcnews.al